Lajme

Çitaku: Të hënën, Kurti do ta nënshkruajë Asociacionin

Nënkryetarja e PDK-së

Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku ka thënë se në takimin e së hënës në Bruksel, kryeministri i Kosovës do të nënshkruaj Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.

Përmes një postimi në Facebook, Çitaku tha se po të njëjtën ditë do të nënshkruhet edhe zotimi për t’i dhënë Kishës Ortodokse Serbe status politik.

“Të hënën Kryeministri Kurti do të nënshkruaj zotimin e tij për të vazhduar dialogun edhe për një dekadë. Të hënën Kryeministri Kurti do të nënshkruaj asociacionin, apo Zajednicën siç e quante dikur.  Të hënën Kryeministri Kurti do të nënshkruaj zotimin për t’i dhënë Kishës Ortodokse Serbe status politik”, shkroi Çitaku.

Sipas Çitakut, këtë të hënë, Kurti do të nënshkruaj marrëveshje për armëpushim dhe jo marrëveshje finale.

“Kryeministri Kurti ka arritur suksesshëm që dialogun Kosovë – Serbi nga marrëveshja politike ta kthejë në problem të sigurisë.  Të hënën Kryeministri Kurti do të nënshkruaj marrëveshjen për armëpushim, jo marrëveshjen finale, me njohjen reciproke në qendër”.

Çitaku thotë se plani franko-gjerman nuk ka pikur nga qielli. Sipas saj  ai është produkt i negocimit të kryeministrit tash e dy vite.

Kujtojmë se Zyra e Bashkimit Evropian ka njoftuar se gjatë datës 27 shkurt, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq do të takohen për të dialoguar mbi bazën e planit franko-gjerman i cili tashmë është i mbështetur edhe nga BE.

/Shqip.com