Lajme

Çitaku i reagon Sveçlës: Nuk jemi në luftë e as në pandemi

Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku

Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku i ka reaguar ministrit Sveçla, duke thënë se me dëshirë nuk do besonte se ai ka kërkuar nga Gjermania, që t’i lejohet hyrja shtetasve të Kosovës me pasaporta të skaduara.

Ajo ka shkruar se puna e Qeverisë është të mbledh taksa dhe të ofroj shërbime.

“Shumë po kam dëshirë me besu që nuk është e vërtetë. Në gjendje të jashtëzakonshme nuk jemi. As luftë e as pandemi nuk ka.

Këtë punë e ka qeveria. Me mbledhë taksa dhe me ofru shërbime.  Fjalimet mediokre filozofike nuk kryejnë punë në qeverisje”, ka shkruar ajo.

Kujtojmë se, tash e sa muaj Kosova po përballet me problemin e materialeve për prodhimin e pasaportave dhe dokumenteve tjera.

Muajin e kaluar MPB-ja e ka nënshkruar kontratën me një kompani për furnizim me material për prodhimin e dokumenteve, vlera e së cilës është mbi 4 milionë euro.

“Ministria e Punëve të Brendshme ka publikuar Njoftimin për dhënie të kontratës me datën 12.12.2022 për Furnizim me dokumente të identifikimit dhe mirëmbajtje të sistemeve dhe kjo kontratë pritet të nënshkruhet më së largu deri në javën e ardhshme. Vlera e kontratës që do të nënshkruhet është 4,021,164.00 € me TVSH. Afati i kontratës do të jetë 12 muaj”, thuhej në njoftimin e MPB-së.

Në media është raportuar se furnizimin me material do të bëjë kompania gjermane “Veridos GMBH”.

/Shqip.com