Lajme

Çitaku e quan “skandaloze” deklaratën e Gërvallës për diplomatët evropianë

Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku ka reaguar pas deklaratës së ministres së Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla e cila ka thënë se “Kosova nuk duhet të lejojë që disa diplomatë, të cilët i cilësoi “problematikë”, ta fusin Ballkanin Perëndimor në luftë”.

Çitaku përmes një postimi në Facebook e ka quajtur këtë “skandaloze” teksa ka shtuar se në këtë formë deklarohen vetëm ministrat e punëve të jashtme të vendeve totalitare.

“Skandaloze. Vetëm Ministrat e Punëve të Jashtme nga vendet totalitare deklarohen në këtë mënyrë për diplomatët evropianë dhe amerikanë”, ka shkruar Çitaku.

Të mërkurë, Gërvalla tha se Kosova nuk duhet të lejojë që disa diplomatë, të cilët i cilësoi “problematikë”, ta fusin Ballkanin Perëndimor në luftë.

“Ne, si Perëndimi në tërësi, nuk duhet të lejojmë që disa diplomatë problematikë ta fusin rajonin në luftë në një aleancë jo të shenjtë me përfaqësuesin e Putinit, Vuçiç. Në çdo rast ne do ta mbrojmë vendin tonë sepse mbrojmë shtetin ligjor dhe demokracinë. Vuçiqin nuk e ndalon dot as me para, as me qetësim, vetëm me një qëndrim kristal. BE-ja nuk e ka këtë, sepse nuk është dakord”, tha ajo.

/Shqip.com