Lajme

Çitaku: E ardhmja e Kosovës nuk guxon të rrezikohet për një grusht vota

Vlora Çitaku - Nënkryetare e parë e PDK-së

Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, ka deklaruar të mërkurën se e ardhmja e vendit nuk guxon të rrezikohet “për një grusht vota”.

Kjo pasi siç ka thënë ajo, Kosova nuk i takon një njeriu.

E këto deklarata Çitaku i ka bërë në llogarinë e saj në Facebook, referuar zhvillimeve të fundit në veri të Kosovës si dhe insistimin e kryeministrit Albin Kurti që forcat policore atje të mos largohen pa u larguar fillimisht grupet kriminale.

“E ardhmja e Kosovës nuk guxon të rrezikohet për një grusht vota. Kosova nuk i takon një njeriu. Kosova është shtet. I pavarur dhe sovran. Kjo e vërtetë e farkëtuar dhe e pakthyeshme nuk po kontestohet nga aleatët tanë. Kuptojeni”, ka shkruar nënkryetarja e PDK-së.

Ajo tutje ka thënë se ajo që është vënë në pikëpyetje është e ardhmja euroatlantike e Kosovës.

“Çfarë Kosove duam ne për fëmijët tanë? Të izoluar apo të integruar në BE dhe NATO? Kualiteti i aleancave dhe mirëmbajtja e tyre është po aq e rëndësishme sa edhe sovraniteti”, ka theksuar Çitaku.

/Shqip.com