Lajme

Cila janë dëmet demografike nga vonesa e regjistrimit të popullsisë?

Fotografia ilustruese
Fotografia ilustruese

Qysh prej vitit 2022, regjistrimi i popullsisë ishte planifikuar të fillonte në shtator të këtij viti. Por si shkak i mungesës së materialeve të planifikuara, ky proces është shtyrë për muajin nëntor.

Megjithatë, edhe këtë muaj, regjistrimi nuk nisi.

E sipas sociologut Bekim Selishta, në rast se regjistrimi i popullsisë nuk fillon brenda një periudhe të afërt kohore, kushtet atmosferike e liberalizimi i vizave do të ndikojnë në saktësi.

Nëse i afrohemi sa më shumë dimrit, kushtet atmosferike ndikojnë sepse lëvizja prej vendbanimeve urbane në rurale, mandej pas liberalizimit gjasat janë shumë të mëdha që të ketë më pak banorë rezidentë që i kemi. Nëse i vizitojnë në shtëpi e nuk i gjejnë, i shkruajnë që nuk ekzistojnë, do të jetë si në procesin e parë që mendoj se ka qenë proces i dështuar”, thotë ai.

Tutje, Selishta thekson se popullsia ka shënuar rënie përgjatë shtatë viteve të fundit, e që kjo ndikon negativisht në vend.

“Struktura e popullsisë , demografia tek ne ka ndryshuar jo për rritje po për të keq, rënie sepse nataliteti ka rënie të mëdha… Ne kemi dy rënie, atë biologjike dhe natyrale. Këto janë dy faktorët që shihen tek shteti jonë dhe po ndikojnë negativisht sepse tash shumica që po ikin nga vendi janë gjeneratat e reja dhe të mesme, kryesisht persona të kualifikuar. Për shtetin kjo paraqet pengesa dhe rrezik nëse popullata e kualifikuar dhe e re largohet është humbje e madhe”, thotë ai.

Edhe avokati në Institutin “Clard”, Anton Nrecaj kërkon fillimin e procesit të regjistrimit.

“Mund të shtyhet procesi por që duhet të shtyhet dhe argumentohet me një vendim nga institucionet e qeverisë, por nuk mund të shtyhet në pakufi dhe në afat të pacaktuar sepse kjo nënkupton që mund të shtyhet për 10 vite. Regjistrimi i popullsisë mund të shtyhet jo më shumë se gjashtë muaj… Kjo është e pa pranueshme sepse edhe në regjistrimin e fundit kemi pas probleme të tilla, edhe tash kemi problem të tilla”, shprehet Nrecaj, raporton TëVë1.

Televizioni ka tentuar të marrë një përgjigje nga Qeveria e Kosovës lidhur me shtyrjen e dyfishtë të procesit të regjistrimit mirëpo të njëjtit kanë refuzuar të përgjigjen.

Regjistrimi i fundit i popullsisë në Kosovë është bërë në vitin 2011 ku numri i banorëve ishte 1.8 milionë pa përfshirjen e banorëve të komunave më shumicë serbë në veri të vendit.

Ndërsa, regjistrimi që është dashur të bëhet në vitin 2021, është shtyrë për shkak të pandemisë COVID-19.

/Shqip.com