Kulturë

Cikël poetik nga Binak Kelmendi

Binak Kelmendi / Shkrimtar, poet, publicist, përkthyes
Binak Kelmendi / Shkrimtar, poet, publicist, përkthyes

Krejt kam nis t’i ngjaj Bab’s

Zgjohem shumë ma herët
Ec rretherreth shpisë
Te gardhi përmjerrem

Aq më bën po më pa njeri
Jam në Tokën teme
Që ma ka lanë Baba

Pastaj shikoj nga bjeshkët e Pejës
Tek fshehin Rugovën

Dal në rrugën e ngushtë
Këqyr përroskën a ka ujë
Hedh në të një gur

Me shkëlqimin e yjeve
Hëna bën hile
Urithi ka ngritur dhé në livadh
Varre dasmorësh
Unë i rrafshoj si Baba
S’kam kuti duhani
Telefoni kërcet
Ati nuk më thërret 
Gurgullon përroska e prangosur 
Si pocerkë dikur në ahur

Ka shumë lajme
Për dekë e lindje
Asnjë për Dashuri
Po ku te gjendet ajo Djallkë
E zënë në hallkë
Si një plakë

Dita me thirrje të fëmijërisë

Është me diell dita në Gropë të Madhe:
Turistë në këmbë e me motorë
Nuk përshëndesin me kokë a me dorë
Kërkojnë hije dhe vetminë e vet
E gjejnë tek uni ngjizur me shpirt

Askush nuk thërret më
Te Livadhi i Martinit a te Qafë e Dasmorëve…
Ooooooooo……

As kositës në livadhe
As nuse me burel në krah

Kanë shterrë gurrat
Janë vithisur stanet
Dele e qengja nuk dihatën në mrize…
Gurët e gjollave i ka mbuluar bari
Kuaj samari me miell kripë sheqer vajgur s’ecin monopatit
Nuk kërcasin as qerret me rrotët e thyera në kërstinat e shtrëmbra

S’kumbojne këngë shpotitëse të vashave në Kodër
“Ooo, unë e madhe, ti e vogël…
Iaoi, uaoi
As në shpat:
“Ftyra jeme plot dukat, ftyra jote kelb e gjak…
Iaoi, uaoi…
As pasqyrë djemsh përthyer rrezesh në sytë e vashës në maje
As qeshje fëmijësh dhe as vaje

Nën flladin e zvogëluar
Vetëm shikim ore
Për kohën e dalë dore
Për të zënë shtigjet e humbura
Dhe fotot ne telefon
Me kujtimet që mbushin harresën.

E gjitha është vetëm nostalgji
Që kot më thërret në fëmijëri

(Bogë, Gropë e Madhe, 31 korrik, ’23)

Motiv francez

Keopsi u var në qelqin e dritares së Luvrit
Bodleri ia ndërroi plagën në majë të majës Kullës së Ajfelit
Pëllumb’ i ngordhur me Lulet e së Keqes
Drejt Portës Triumfale fluturoi

Nën urën Mirabo
Uji rrjedh Senën

Mjellmat lundrojnë me altoparlant në sqep
Turistë ndërrohen
Vetëm shqiptarë ikin

Zëra të ngjirur në Shën Mishel
Bohemët shkojnë në Monmartrë
Hadi shumë më afër
Këmbanat e Notrë Damit
Askush s’i tërheq në
Te Deum-in e vet

Pak lajme për Luftën e Kosovës
Paqe në Versajë

Vetëm në bodrumet e verës
Me vozgat pa etiketë
Të Loires

Xhelozi epokash

Rumi qeshte
Me gjuhë në vozgë
Ndoshta dhe e shijonte
Askush s’e di
Poezi a profeci
Rumi vetë

Noli zbrazte verë në buzë Khajami
Tek s’e zinte gjumi
Për Shqipërinë e ëndrrave

Homeri këlthiste
Pa shkop të bardhë
Te krifë Kalë Troje

Virgjili recitonte
Cipër cullak 
Mbi Romën e ulkonjave
Tek përshëndeste Vezuvin

Zjarri vinte në Tomorr

Konica rrotullonte peshq
Në skarën Albania
Pa prush

Molla e Kuqe

Nga ç’ trung ka pikur
Ajo Mollë Adami

Kush e mori nga Toka
Kush e mbajti në dorë
Cili e kafshoi

Ishte e ëmbël e thartë e idhtë
A pati shume fara

Ka rënë
Nga Molla e Kuqe
Nga mollë e thartë
A nga një mollë tjetër
Për zgjatje agonie
Në Legjendë të Vjeter
Me Evën Mollë.

Tirana, si e pashë

Të kam parë shumë herët në TV
Me vetëm një autobus nëpër shesh
Disa biçikleta
Pak këmbësorë
Me shumë kasketa

Kumtesa të PPSH-së që rregullonin botën
Shqipëria vetë ishte lule
Planet pesëvjeçarë kryheshin për tri vjet

Duartrokitje frenetike
Për arritje
Pas këngëve të estradës
Artistike

Ngritje në këmbë, betim
Byroja Politike me grushtin në ballë  
Gjithmonë në vigjëlim.

Pastaj, me shumë vonesë 
Erdha te Ti Tiranë

Sikur të vija në Hanë

Në kufi bërtiti Ushtari me gradë
“Mos shkel shinën
Këtu a Sh’ipni,
Trego vizën”

Në natën pa yje
Në 15 katëshe
Nuk pati darkë

Hoteli kishte planifikuar
Mosshkuarjen time

Diell Dajti me dhëmbë në dhomë
Tirana nuk ishte dot televizivja

Tri kater vetura te zeza Komiteti 
Parakalim i gjelbër ushtrie
Vajzat me pushkë të gjatë në gjoks

Armiku nuk flinte kurrë
As jashtë dhe as brenda.

/Shqip.com