Lajme

Chollet ia uron Kurtit marrëveshjen e Ohrit

Foto ilustrim
Foto ilustrim

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka zhvilluar një bisedë telefonike me Këshilltarin e Lartë të Departamentit Amerikan të Shtetit, Derek Chollet.

Përmes një postimi në Twitter, Kurti thotë se Chollet e uroi për marrëveshjen e arritur në Ohër të Maqedonisë së Veriut.

“Kisha një telefonatë nga Këshilltari i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet dhe me uroi marrëveshjen e arritur në Ohër pas bisedimeve të gjata dhe të vështira. Unë e falënderova atë për mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe rolin e saj në këtë proces. Marrëveshja bazë dhe aneksi siç thuhet gojarisht dhe me tekst tani duhet ta ndryshojnë realitetin dhe kushtet”, shkroi Kurti.

Kujtojmë se Bashkimi Evropian ka bërë publik planin e për zbatimin e marrëveshjes së arritur.

Në shtojcën e publikuar thuhet se Kosova dhe Serbia angazhohen plotësisht të respektojnë të gjitha Nenet e Marrëveshjes dhe këtë Aneks, dhe të zbatojnë të gjitha detyrimet e tyre përkatëse që rrjedhin nga Marrëveshja dhe Aneksi, në mënyrë të përshtatshme dhe në mirëbesim.

“Palët kanë parasysh se Marrëveshja dhe Aneksi i Zbatimit, do të bëhen pjesë integrale e proceseve përkatëse të anëtarësimit të Kosovës dhe Serbisë në BE. Pas miratimit të Marrëveshjes dhe kësaj Shtojce, Lehtësuesi i BE-së do të fillojë procesin për të ndryshuar Kapitullin 35 për Serbinë për të pasqyruar detyrimet e reja të Serbisë që rrjedhin nga Marrëveshja dhe kjo Aneks. Agjenda e Grupit Special të Kosovës për Normalizim do të pasqyrojë në mënyrë të barabartë obligimet e reja të Kosovës që rrjedhin nga Marrëveshja dhe ky Aneks”, thuhet në dokumentin e publikuar.

Palët bien dakord që në mënyrë urgjente të miratojnë Deklaratën për Personat e Zhdukur, siç është negociuar në kuadër të Dialogut të lehtësuar nga BE-ja.

“Për të zbatuar nenin 7, Kosova fillon menjëherë negociatat në kuadër të Dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, për vendosjen e aranzhimeve dhe garancive specifike për të siguruar një nivel të duhur të vetë-menaxhimit për komunitetin serb në Kosovë, në përputhje me marrëveshjet e mëparshme përkatëse të Dialogut siç përcaktohet nga Lehtësuesi i BE-së”.

Palët bien dakord të krijojnë një Komitet të Përbashkët Monitorues, të kryesuar nga BE-ja, brenda 30 ditëve. Zbatimi i të gjitha dispozitave do të sigurohet dhe mbikëqyret nga Komiteti i Përbashkët i Monitorimit.

Për të zbatuar nenin 9, BE-ja do të organizojë një konferencë donatorësh brenda 150 ditëve për të krijuar një paketë investimi dhe ndihme financiare për Kosovën dhe Serbinë. 

Asnjë disbursim nuk do të ndodhë përpara se BE-ja të përcaktojë se të gjitha dispozitat e Marrëveshjes janë zbatuar plotësisht.

Kosova dhe Serbia pajtohen që të gjitha nenet do të zbatohen në mënyrë të pavarur nga njëri-tjetri.

Rendi i paragrafëve të kësaj shtojce nuk cenon rendin e zbatimit të tyre.

Kosova dhe Serbia pajtohen të mos bllokojnë zbatimin e asnjë prej neneve.

Të gjitha diskutimet në lidhje me zbatimin e Marrëveshjes do të zhvillohen në kuadër të Dialogut të ndërmjetësuar nga BE.

Kosova dhe Serbia pranojnë se çdo mosrespektim i detyrimeve të tyre nga Marrëveshja, Aneksi ose Marrëveshjet e Dialogut të kaluar, mund të kenë pasoja të drejtpërdrejta negative për proceset e tyre përkatëse të anëtarësimit në BE dhe ndihmën financiare që marrin nga BE-ja.

/Shqip.com