Lajme

Chollet: Duhen vendime të vështira dhe kurajo nga udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë

Këshilltari i Departamentit të Shtetit, Derek Schollet ka folur edhe njëherë për raportet midis Kosovës dhe Serbisë.

Ai ka folur për barrikadat e vendosura në veri të vendit dhe ka thënë se nuk është mirë që kjo të përsëritet.

“Pikë së pari është e rëndësishme që të mos shohim një përsëritje të kësaj krize. Shumë tepër se ç ‘duhej nga energjia jonë është shpenzuar gjatë javëve të fundit për të shmangur përkeqësimin e krizës dhe përshkallëzimin e saj në diçka që askush nuk dëshironte ta shikonte, në dhunë. Në vend të kësaj, energjia diplomatike duhej përqendruar tek e ardhmja e Kosovës dhe Serbisë, duhej diskutuar për propozimin për normalizim, që ka paraqitur BE-ja, që do të ketë në bazë njohjen e ndërsjellët. Ky është drejtimi që Kosova dhe Serbia të arrijnë destinacionin e tyre euroatlantik”, thotë Chollet.

Chollet më tutje ka folur edhe për hapat e ardhshëm konkret që duhet të marr Kosova dhe Serbia.

“Sërish, duam që të dyja palët të bisedojnë. Janë bërë disa javë tashmë që dy palët kanë patur mundësinë të takohen së bashku dhe ne jemi atje të pranishëm, duke punuar së bashku me kolegët tanë të BE-së në përpjekje për ta lehtësuar këtë. Mendojmë se është e rëndësishme që palët të bisedojnë për thelbin e propozimit të BE-së dhe jo të ndërmarrin masa vetëm për të përshkallëzuar apo potencialisht për të shkaktuar një krizë. Pra ka shumë gjëra për të biseduar. Kemi shumë punë për të bërë. Por, e shohim drejtimin përpara dhe do të bëjmë çfarë të mundemi për t’u siguruar që Kosova dhe Serbia të lëvizin në atë drejtim”.

Po ashtu Këshilltari i Departamentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka folur edhe për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.

“Është një prioritet për ne, Shtetet e Bashkuara. Kemi qenë shumë të qartë për këtë. Besojmë se është një angazhim që është ndërmarrë dhe që duhet të ngrihet. Është qartësisht një hap kyç. Por ka shumë çështje të tjera. Të dyja palët këtu kanë detyrime. Të dyja palët kanë gjëra për të cilat ne do të donim t’i shihnim që të lëviznin përpara. Prandaj duhet t’i bëjmë këto biseda sa më herët”.

Por a është propozimi i BE-së, bazuar në planin franko-gjerman, një lloj baze për një marrëveshje ligjore të detyrueshme mes Serbisë dhe Kosovës?

“Nuk dua të merrem me detajet e asaj çfarë ka propozuar BE-ja. Mendoj se ndonjëherë, në çfarëdolloj negociatash, është më mirë që këto detaje të lihen pas dyerve të mbyllura, deri në momentin kur të jenë gati. Por, mendojmë se BE-ja ka parashtruar një drejtim të arritshëm, një drejtim të mirë. Sërish, do të jetë e vështirë. Do të dojë shumë punë. Do të dojë vendime të vështira dhe kurajo nga udhëheqësit, që të lënë mënjanë ndasitë dhe të bëjnë atë që është në interesin më të mirë të vendit të tyre. Dhe të dy udhëheqësit, në Kosovë dhe Serbi, kanë shprehur dëshirën e tyre për të qenë në rrugën drejt integrimit më të madh në komunitetin euroatlantik. Ne e mbështesim së tepërmi këtë dëshirë”, raporton Zëri i Amerikës.

Pos për marrëdhëniet midis Kosovës dhe Serbisë, Chollet ka folur po ashtu edhe për luftën në Ukrainë.

/Shqip.com