Sport Ndërkombëtar

Chiellini do të lë Italinë – në Wembley

Mbrojtja e “Azurrëve” do të mbetet me një boshllëk të madh.

Giorgio Chiellini do të varë kepucët nga kombëtarja e Italisë.

Lajmin e ka bërë të ditur vetë futbollisti, raporton Fabrizio Romano.

Sipas tij, ndeshja e fundit e veteranit do të jetë superfinalja mes Italisë dhe Argjentinës që do të luhet në qershor të këtij viti.

Lojtari i Juventus, pritet që ta lë edhe klubin ku formësoi emrin që sot e bartë mbi supe, po ashtu në fund të sezonit.

Ai pritet të nisë aventurë të re në ShBA, përkatësisht në ligën MLS – ku edhe po i shqyrton disa oferta.

Giorgio Chiellini

37 vjeçari është kapiten i kampionit aktual të Evropës, ku në 116 paraqitje ka arritur të shënojë tetë gola, që prej se debutoi në vitin 2004.

I lindur në Pisa, ai ishte fillimisht pjesë e Livornos e më pas e Fiorentinës për një sezon, para se t’i bashkohej “Zonjës së Vjetër” për 7 milionë euro në vitin 2005.

Chiellini me trofeun e Series A – Scudetto

Chiellini është kampion i nëntë fishtë i Scudettos, pesë herë ka fituar “Coppa Italia” – po aq sa ka edhe Superkupa të Italisë dhe një herë është shpallur kampion i Evropës me Italinë në vitin 2021.

Qendërmbrojtësi ka kontratë me Juven deri më 2023-tën, por aventura e tij në Torino duket se po perëndon pas pak javësh. /Shqip.com