Lajme

Çfarë thanë emisarët pas tensioneve në Veri?

BE i ka kërkuar Kosovës dhe Serbisë që “të veprojnë me përgjegjësi dhe të angazhohen menjëherë në dialog” për të gjetur zgjidhje

Ka dhjetë ditë që situata në Veri të vendit është tensionuar, për shkak se kryeministri Albin Kurti vendosi t’i fus në objektet komunale kryetarët e rinj shqiptarë.

Për ta “normalizuar” gjendjen në katër komunat, Kosova dhe Serbia me ndihmën e emisarëve Mirsloav Lajcak dhe Gabriel Escobar do të negociojnë për shpalljen e zgjedhjeve të reja atje. Kurti dhe Vuçiq kanë pozicione të ndryshme edhe për procesin elektoral.

Vuçiq do garanci për Asociacionin, Kurti vendosje të sundimit të ligjit, ndërkohë që OSBE ka shpallur 9 hapa për shtensionim të situatën dhe mbajte të zgjedhjeve këtë vit.

Kryeministri Albin Kurti ende nuk i ka plotësuar kërkesat e SHBA-së pas tensioneve në Veri, pavarësisht se nga Washingtoni ka ardhur ndëshkimi i parë, përjashtimi i FSK-së nga ushtrimi i madh ushtarak ndërkombëtar, “Defender Europe ’23” ndërkohë që janë paralajmëruar edhe masa tjera.

As Serbia nuk i ka përmbushur kërkesat e Washingtonit – uljen e gatishmërisë ushtarake për luftë dhe tërheqjen e ushtrisë nga kufiri me Kosovën.

Këto zhvillime janë arsyeja e vizitës së evropianëve dhe amerikanëve në Kosovë dhe Serbi. Kurti do t’i presë sot në një takim në Prishtinë të dërguarin amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar dhe të dërguarin e Bashkimit Europian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak.

Situata në veri është më e qetë tash, por ende e tensionuar kur janë bërë 10 ditë që prej kur kryetarët e rinj shqiptarë të katër komunave veriore u futën në objektet komunale me ndihmën e Policisë.

Kurti thotë se për shtensionimin e situatës atje duhet që të ndalet dhuna dhe të bëhet “zbatimi i menjëhershëm” i marrëveshjes për normalizimin e raporteve, të arritur me Serbinë në shkurt dhe mars.

“Theksova se hapi i parë drejt deeskalimit është përfundimi i menjëhershëm i dhunës ndaj institucioneve të sigurisë dhe zbatimi i menjëhershëm i Marrëveshjes Themelore deri në zgjedhjet e ardhshme”, shkroi Kurti në Tëitter të dielën, pasi njoftoi për një telefonatë me ministrin e Punëve të Jashtme të Emirateve të Bashkuara Arabe, Sheikh Abdullah bin Zayed.

Duke i komentuar tensionet e fundit në veri, Kurti ka thënë se Kosova mund ta zvogëlojë numrin e zyrtarëve policorë në ndërtesat komunale, nëse paraprakisht bandat e financuara nga Beogradi do të shkojnë “ose në Serbi, ose në burgje”.

Por presidenti serb, Aleksandar Vuçiq e kishte paraqitur themelimin e Asociacionit si kusht për kthimin e serbëve në institucionet e Kosovës, duke paralajmëruar se pa Asociacion, serbët do t’i bojkotonin zgjedhjet, siç edhe ndodhi.

Lista Serbe po e kushtëzon sërish pjesëmarrjen në zgjedhje me tërheqjen e njësive speciale të Policisë së Kosovës nga pjesa veriore e vendit dhe me formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

BE do zgjedhje të reja në veri dhe jo parakushte për themelimin e Asociacionit

Bashkimi Evropian ka kërkuar të shtunën që Kosova t’i pezullojë menjëherë operacionet policore në afërsi të objekteve komunale në veri dhe që kryetarët e zgjedhur të shkojnë në objekte alternative për t’i kryer detyrat. Zgjedhjet e reja, BE ka kërkuar që “të shpallen sa më shpejt”.

“Zgjedhjet e jashtëzakonshme duhet të shpallen sa më shpejt që të jetë e mundur në të katër komunat, dhe ato të organizohen në mënyrë gjithëpërfshirëse. Presim që serbët e Kosovës të marrin pjesë në to”, thuhet në deklaratën e Unionit, të lëshuar nga shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell pas takimit që ai e pati në Moldavi me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, kancelarin gjerman, Olaf Scholz dhe presidentin francez, Emmanuel Macron ku edhe lindi zyrtarisht ideja për zgjedhje të reja.

BE i ka kërkuar Kosovës dhe Serbisë që “të veprojnë me përgjegjësi dhe të angazhohen menjëherë në dialog” për të gjetur zgjidhje “që garanton siguri dhe pjesëmarrje për të gjithë qytetarët”.

S’është harruar të përmendet as Asociacioni. Për të nisur punën për themelimin e një bashkësie komunash me shumicë serbe, BE kërkon që të mos ketë parakushte.

“Diçka e tillë hap rrugë për zbatimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit dhe aneksit. Kjo përfshin edhe nisjen, pa asnjë vonesë tjetër, dhe pa parakushte të punës për të themeluar Asociacionin e komunave me shumicë serbe”, është thënë mes tjerash në thirrjen e bllokut europian”, u tha në deklaratë.

Escobar: Të hiqen policët nga komunat dhe të nisin me urgjencë diskutimet për Asociacionin

I dërguari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar ka thënë të dielën për BBC-në se përshkallëzimi i tensioneve në veri ka mundur të shmanget, por që ai “ka qenë rezultat i mosgatishmërisë së palës kosovare që ta dëgjojë komunitetin ndërkombëtar”.

Escobar foli për rezistencë nga Qeveria e Kosovës në përpjekjet e tyre për t’u koordinuar, ndërsa ka treguar se cilat janë kërkesat e qarta të tyre për kryeministrin e Kosovës.

“Ne e kemi porositur atë që t’i tërheqë kryetarët nga ndërtesat komunale, që t’i largojë zyrtarët policorë nga ndërtesat, dhe që më pas, me urgjencë, të nisin diskutimet për formim të Asociacionit të komunave me shumicë serbe”.

Propozimi i OSBE-së: 9 hapa për shtensionimin e situatës

Kryediplomati i Maqedonisë së Veriut, shtetit që po kryeson edhe me presidencën e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë (OSBE) i ka paraqitur nëntë hapa si manual për rrugën drejt deeskalimit të situatës në veri.

Së pari, sipas OSBE-së, Kosova dhe Serbia duhet ta riafirmojnë përkushtimin për marrëveshjen e fundit dhe aneksin e implementimit.

Së dyti, të largohen policët specialë nga komunat veriore dhe të reduktohen forcat serbe.

Sigurinë ta marrin në dorë Policia e rregullt me asistencën e KFOR-it dhe EULEX-it. Ky është propozimi tjetër i OSBE-së.

Si hap i katërt është propozuar anulimi i protestave dhe kthimi në normalitet i shërbimeve komunale. “Jeta normale fillon, garantohet akses për punëtorët e komunave”.

Si hap të pestë OSBE propozon që kryetarët e rinj të japin dorëheqje në verën e këtij viti për t’i hapur rrugë zgjedhjeve të reja.

Hapi tjetër, sipas OSBE-së është që zgjedhjet e jashtëzakonshme komunale të bëhen në këtë vit, me përkrahjen e OSBE-së për procesin elektoral e që do të rris besueshmërinë në radhët e komuniteteve.

OSBE propozon gjithashtu që si organizatë të merret me rininë përmes programeve për pajtim dhe në fund, shprehet mbështetja për implementimin në mirëbesim të marrëveshjeve që janë arritur dhe rinisjen e një dialogu kuptimplotë.

/Shqip.com