Ujërat e zeza u derdhën në det/ Çfarë e shkaktoi ndotjen masive në plazhin e “Valamar”, në Hamallaj?
Një situatë shqetësuese u evidentua në fundjavë, në zonën turistike të Valamarit në Durrës, ku ujërat e zeza janë derdhur drejt detit, duke shkaktuar reagime të shumta në rrjetet sociale, veçanërisht në kulmin e sezonit turistik.
Pas publikimit të pamjeve që tregonin rrjedhjen e ujërave të ndotura drejt vijës bregdetare, strukturat përgjegjëse kanë ndërhyrë në terren për të bllokuar kanalin shkarkues pranë zonës.
Në vendngjarje është konstatuar edhe një mjet skavator, i cili ka kryer ndërhyrje për ndalimin e rrjedhjes së ujërave të zeza drejt detit.

Ky episod ka ngritur shqetësime të forta për ndotjen e mjedisit dhe sigurinë e zonës bregdetare, e cila frekuentohet gjatë kësaj periudhe nga një numër i madh pushuesish vendas dhe të huaj, por njëkohësisht njihet si një prej plazheve me resortet më luksoze në vend dhe me çmime të kripura.

Nuk ka një njoftim zyrtar që të përcaktojë shkakun e plotë të derdhjes, përgjegjësit e ngjarjes apo nëse rrjedhja është ndalur përfundimisht.
Po ashtu, mbetet e paqartë nëse do të ketë masa administrative apo procedime ligjore lidhur me ndotjen në këtë zonë turistike.
©Shqip.com