Lajme

Çështja e dinarit / Bislimi: Mbesim pranë ofertës tonë që e kemi ndarë me vendet e QUINT-it

Zëvendëskryeministri, njëherësh kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi.
Zëvendëskryeministri, njëherësh kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka shkruar në platformën “X”, të martën për takimin që kishte me kryenegociatorin serb, Petar Petkoviq nën ndërmjetësimin e Miroslav Lajçakut, emisarit të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi.

Bislimi ka deklaruar se Kosova e ka bërë të qartë që do ofrojë zgjidhje teknike sipas planit që ajo u ka ofruar edhe shteteve të QUINT-it javë më parë.

Po ashtu Bislimi, ka thënë se Serbia ka vazhduar ta refuzojë marrëveshjen bazike dhe zbatimin e saj.

“Diskutohet sot në Bruksel në takimet e procesit të dialogut lidhur me zbatimin e Marrëveshjes Themelore dhe Aneksit Zbatues. Për fat të keq, Serbia përsëri refuzoi marrëveshjen dhe zbatimin e saj”.

“Kemi prekur edhe një varg çështjesh, ku janë trajtuar edhe disa shkelje të marrëveshjeve nga Serbia, si për energjinë, telekomunikacionin dhe pengimin e anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare”, ka deklaruar Bislimi.

“Sa i përket rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës për operacionet me para të gatshme dhe transparencën, palët do të sjellin ide konkrete se si mund të duket një zgjidhje afatshkurtër, duke respektuar gjithmonë vendimin në fjalë të BQK-së”.

Republika e Kosovës e ka bërë të qartë që do ofrojë zgjidhje teknike sipas planit që ajo u ka ofruar edhe shteteve të QUINT-it javë më parë”, ka deklaruar Bislimi.

/Shqip.com