Lajme

Celibashi publikon shifrat: Zgjedhjet e 14 majit, pjesëmarrja më e ulët!

Kreu i KQZ-së, Ilirian Celibashi ka bërë bilancin sa i takon pjesëmarrjes në zgjedhjet e 14 majit 2023.

Gjatë një komunikimi me gazetarët, Celibashi ka nxjerrë statistika të pjesëmarrjes së ulët në zgjedhjet e fundit lokale, e cila vjen si pasojë e dy faktorëve kryesorë: Së pari, shpopullimit alarmant i Shqipërisë dhe së dyti mosbesimi i votuesve shqiptarë në forcat politike.

Sipas kreut të KQZ, pjesëmarrja e përgjithshme në këto zgjedhje ka qenë 38.24%, ndërsa në ato të vitit 2021, pjesëmarrja totale ka qenë 46.32%.

Bashkia me pjesëmarrjen më të lartë në votime ka qenë ajo e Fushë Arrëzit, ndërsa me pjesëmarrje më të ulët ka qenë bashkia Vlorë.

“Pjesëmarrja në zgjedhjet e 14 majit 2023 ka qenë 38.24%, në krahasim me 46.32% në 2021. Më shumë pjesëmarrje në zgjedhje është bashkia e Fushë Arrëzit, dhe Vlora me pjesëmarrjen më të ulët”, u shpreh Celibashi.

Vlen të kujtpjmë që nga viti 2008 deri në 2020-n, janë rreth 700 mijë shtetas shqiptarë që kanë marrë leje qëndrimi në një nga shtetet e Bashkimit Europian. Shifrat janë bërë të ditura nga Eurostat, instituti europian i statistikave dhe janë përpunuar nga “Monitor”.

Numri më i lartë i lejeve të qëndrimit është dhënë në periudhën 2008-2009, me përkatësisht 97.3 mijë dhe 83.9 mijë, si rrjedhojë e emigracionit të lartë të fillim viteve 2000. Më pas fluksi erdhi në rënie, duke zbritur në rreth 30 mijë në vitin 2013. Pas kësaj periudhe, rigjallërimi i ciklit të emigracionit, që tregohet dhe nga shtimi i ndjeshëm i kërkesave për azil solli një tjetër rritje të lejeve të qëndrimit, që kulmoi në vitin 2019, me rreth 60.4 mijë të tilla.

Në krahasim me vendet e tjera të rajonit, Shqipëria mban rekordin për numrin e shtetasve të saj që kanë zgjedhur të jetojnë e punojnë në një shtet të Bashkimit Europian.

/Shqip.com