Lajme Botë

Çekia merr kryesimin e BE-së nga sot, bën të ditur prioritetet që ka

Foto: AP images

Nga data 1 korrik, Këshilli i Bashkimit Evropian do të vazhdojë nën kryesimin e Republikës së Çekisë.

Mandati i saj do të zgjasë deri në fund të këtij viti, me Francën që e kishte këtë pozitë për gjashtë muajt e parë.

Ndërkaq, ulja e varësisë nga lëndët djegëse fosile ruse, mbledhja e fondeve për rindërtimin e Ukrainës pas luftës dhe forcimi i zinxhirëve të ndërprerë të furnizimit do të jenë në krye të axhendës së Çekisë, raporton ‘Euronews‘.

Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, vizitoi Pragën në prag të Presidencës Çeke.

Franca e kishte dorëzuar propozimin formal për hyrjen e Kroacisë në zonën Schengen vetëm një ditë para përfundimit të kryesimit të saj.

Tami, mbetet në duart e çekëve përmbyllja e pjesës formale, pasi Komisioni Evropian kishte konfirmuar se Kroacia i ka përmbushur të gjitha kushtet.

Zakonisht, shtetet që marrin kryesimin e BE-së i përgatisin prioritetet e tyre disa vite më herët, por ndryshimet e rrethanave bëjnë që edhe prioritetet të ndryshojnë.

Kështu, Çekisë i imponohen si prioritete menaxhimi i krizës së refugjatëve nga Ukraina dhe  vazhdimi i ndihmës për Ukrainën, për t’u përballur në secilin aspekt me agresionin e Rusisë.

Po ashtu, pritoritet mbetet edhe siguria e furnizimit me energji, që nënkupton zvogëlimin e varësisë nga Rusia si dhe forcimi i qëndrueshmërisë së ekonomisë në BE dhe forcimi i institucioneve demokratike.

Përndryshe, kjo është hera e dytë që Çekia merr kryesimin e BE-së qëkur është bërë anëtare e bllokut në vitin 2004.

Herën e parë, ky shtet ka kryesuar në vitin 2009. Gjatë kryesimit të atëhershëm, Qeveria çeke është rrëzuar, por kryesimi i vendit me BE-në është vlerësuar si i suksesshëm.

Nga ana tjetër, nuk dihet akoma nëse Çekia ka në planprogram liberlalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, por që ka dhënë mbështetjen e saj me votë pro. /Shqip.com