Lajme

CDU mbështet anëtarësimin e Kosovës në KE, bën thirrje për anëtarësim edhe në BE e NATO

Flamuri i Kosovës dhe ai i Gjermanisë
Flamuri i Kosovës dhe ai i Gjermanisë

Partia më e madhe në Gjermani, CDU ka bërë thirrje që Kosova të anëtarësohet në Këshillin e Evropës

Vendimi i Kosovës për anëtarësim në KE, për deputetin gjerman, Michael Brand është hap i duhur dhe logjik.

“Aplikimi i Republikës së Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës është një hap i qëndrueshëm dhe logjik. Në të kaluarën e afërt, Kosova ka bërë përparim të madh në aspektin e sundimit të ligjit dhe luftës kundër korrupsionit dhe krimit”, thuhet në komunikatë.

“Në asnjë vend tjetër evropian nuk ka një referencë të qartë në Kushtetutë për Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut. Juridiksioni i saj tashmë njihet si i detyrueshëm për Kosovën”.

Më tej, thuhet se “90 për qind e popullsisë është vazhdimisht në favor të integrimit në BE dhe NATO”.

Kjo parti ka bërë thirrje që qeveria federale ta mbështesë Kosovën në anëtarësim edhe në BE dhe NATO.

“Në pikën e kthesës pas sulmit të Rusisë ndaj Ukrainës, qeveria federale duhet të mbështesë në mënyrë aktive kërkesën e Kosovës për anëtarësim në BE dhe NATO, në mënyrë që paqja në pjesët e tjera të Evropës, veçanërisht në Ballkan, të mos rrezikohet më nga veprimet e Rusisë dhe Serbisë. – nga propaganda pro-ruse te manovrat ushtarake”.

Më tej, në komunikatë kanë theksuar se me anëtarësimin e Kosovës në KE, do të ketë stabilizim të situatës në Ballkan.

“Nëse Serbia dhe Rusia nuk mund të vazhdojnë lojën e tyre të rrezikshme kufitare në Ballkan, rreziku i një konflikti të ri atje do të reduktohet ndjeshëm. Mbështetja për anëtarësimin e Republikës së Kosovës në Këshillin e Evropës do të ketë efekt stabilizues edhe në situatën në Bosnje-Hercegovinë, ku edhe ekstremistët serbë, aleatë me Rusinë, po sfidojnë kufijtë”, thuhet në komunikatë.

Në fund, kanë shtuar se mbi 72 për qind e shteteve njohin pavarësinë e Kosovës, gjë që ndikon pozitivisht në anëtarësim në KE.

“Në Këshillin e Evropës, më shumë se 72 për qind e shteteve anëtare e kanë njohur tashmë Republikën e Kosovës, ndërsa të tjerat janë afruar me njëri-tjetrin. Është koha e duhur dhe qasja e duhur për të bërë një hap të rëndësishëm përpara në integrimin e mëtejmë të Kosovës dhe në të njëjtën kohë të gjithë rajonit”.

Ndërsa, kanë kërkuar veprime konkrete nga Ministri i Jashtëm i Gjermanisë dhe Kancelari gjerman.

“Tani është e rëndësishme që qeveria federale jo vetëm të bisedojë, por edhe të veprojë në mënyrë aktive. Kancelarja Federale dhe Ministri i Jashtëm Federal e kanë siguruar personalisht lidershipin kosovar për mbështetjen e tyre. Kjo tani duhet të reflektohet edhe në veprime konkrete”, përfundon komunikata.

Këshilli i Evropës është institucioni më i vjetër i të drejtave të njeriut në Evropë që bashkon demokracitë nga i gjithë kontinenti për të mbrojtur të drejtat e njeriut.

Ky institucion i cili është themeluar në vitin 1949, ka seli në Strasburg të Francës. Këshilli mbron lirinë e shprehjes dhe të mediave, barazinë dhe minoritetet në vendet anëtare.

Më 16 mars, Federata Ruse është përjashtuar nga Këshilli i Evropës. Procedura për t’i dhënë fund anëtarësimit të Rusisë filloi fillimisht më 25 shkurt – një ditë pasi forcat e presidentit rus, Vladimir Putin sulmuan Ukrainën./Shqip.com