Sport Ndërkombëtar

Cavani flet për diçka që nuk ka përjetuar kurrë më parë

Edinson Cavani është pjesë e Valencias që prej verës së kaluar dhe në 16 ndeshje ka shënuar 5 gola, por në një intervistë për kanalin e La Liga-s zbulon se për herë të parë në karrierë po përjeton diçka ndryshe.

I mësuar të luajë gjithmonë në nivele të larta dhe të pretendojë për titull, veteran uruguaian këtë vit duhet të jap kontributin e tij për të ndihmuar Valencian të mbijetojë në elitën e futbollit spanjoll.

“Nuk kam përjetuar kurrë një situatë të ngjashme, por ndonjëherë gjërat duhen përballuar, pasi nuk ka rrugë tjetër. Kemi provuar shumë herë të ndryshojmë situatën, pasi e dimë ku jemi dhe duam ta çojmë këtë klub sa më lart të mundemi”, deklaroi Cavani.

Ndonëse me 36 vite mbi supe, sulmuesi uruguaian nuk ka nisur të mendojë ende për tërheqjen, teksa zbulon se ka ende për të dhënë në fushën e lojës.

“Tërheqja është diçka që do të vijë në mënyrë natyrale. Kur ta kuptoj se nuk mund të jap më asgjë në fushë, atëherë do të komunikoj me njerëzit dhe do të bëj një hap pas. Për momentin ndihem mirë dhe jam gati të përballem me këto në fushë”, u shpreh Cavani.

/Shqip.com