Lajme

Caktohet trupi gjykues në çështjen kundër Thaçit dhe të tjerëve

Kryetarja e Dhomave të Specializuara të Kosovës, Ekaterina Trendafilova, ka caktuar përbërjen e trupit gjykues që do të gjykoj rastin ku për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit po akuzohen Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.

Ky trup gjykues do të përbëhet nga gjyqtarët Charles Smith III , Christoph Barthe, Guénaël Mettraux dhe Fergal Gaynor, gjyqtar rezervë.  Ndryshe, ky trup gjykues, ka pasur në trajtim rastin ndaj Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinajt.

Po ashtu, është bërë e ditur se me 30 nëntor 2022, gjykatësi i procedurës paraprake ka njoftuar se çështja do të jetë gati për tu transferuar te trupi gjykues me 15 dhjetor.

Një javë më parë, Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS), ka dorëzuar listën e përkohshme të 40 dëshmitarëve të parë të saj në rastin ndaj Hashim Thaçi, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.

“Në bazë të urdhrave, Zyra e Prokurorit të Specializuar (“SPO”) paraqet një listë të përkohshme të 40 dëshmitarëve të parë që do të thirren në gjyq dhe, si të rëndësishme për këta dëshmitarë, deklaratat që synon të kërkojë të pranojë në përputhje me Rregullën 154”, thuhet në shkresën e ZPS-së.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020, raporton Betimi për Drejtësi.

Sipas akuzës, së paku midis marsit 1998 deri në shtator 1999, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, Jakup Krasniqi dhe anëtarë të tjerë kishin qëllimin e përbashkët për të siguruar dhe ushtruar kontroll mbi të gjithë Kosovën përmes metodave që përfshinin frikësimin, keqtrajtimin, ushtrimin e dhunës dhe eliminimin e paligjshëm të atyre që konsideroheshin si kundërshtarë.

/Shqip.com