Lajme

Bytyçi: Nëse s’ka njohje nga 5 vendet e BE-së, Kosova s’duhet ta pranojë marrëveshjen

Seb Bytyçi, njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare, ka thënë se Kosova duhet ta konsiderojë refuzimin e marrëveshjes për normalizim të marrëdhënieve me Serbinë, bazuar në planin evropian, nëse aty nuk parashihet njohja nga pesë vendet anëtare të Bashkimit Evropian.

Bytyçi ka thënë se do duhej të ekzistonte një arsye tepër e fortë që Kosova ta nënshkruante marrëveshjen, nëse nuk përfshihet njohja nga pesë vendet e BE-së.

“Nëse nuk ka njohje nga pesë vendet e BE-së, faktikisht, nuk ka arsye të fortë për Kosovën që ta pranojë këtë marrëveshje. Duhet ta konsiderojë ta refuzojë marrëveshjen. Do duhej të ekzistonte një arsye tejet e fortë që Kosova ta nënshkruante, siç mund të jetë një valë tjetër e njohjeve nga vendet e tjera të rajonit. Ndryshe, kjo marrëveshje nuk ka kredibilitet”, ka thënë ai në “Interaktiv” të KTV-së të premten.

Sipas Bytyçit, Kosova është në pozitë të disfavorshme karshi Serbisë në dialog, pasi siç ka deklaruar ai, vetë BE-ja e përfaqësuesit e saj nuk e njohin Kosovën.

Duket folur për takimin e 31 janarit në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, ku do të diskutohet për Asociacionin, ai ka thënë se Serbia përmes barrikadave arriti që t’i nxjerrë zotimet nga SHBA-ja, siç është formimi i Asociacionit.

“Ky takim është si pjesë e zotimeve që i ka dhënë (emisari Gabriel) Escobari ndaj Serbisë. Do t’i bëjë presion Kosovës që ta formojë Asociacionin. Përmes barrikadave, Serbia ka arritur t’i nxjerrë këto zotime nga SHBA-ja. Idealisht një proces i tillë diskutimi duhej të udhëhiqej nga Qeveria e Kosovës, e Qeveria mendon se është ende herët që të bëhet ai proces, por të bëhet pas nënshkrimit të marrëveshjes. Konkluzionet dhe përmbajtjet e diskutimit shpresojmë se do t’i transmetohen Qeverisë. Të shpresojmë se do të bëhet diçka edhe për kërkesën e Kosovës për njohje, me diskutime në Beograd”, ka shtuar ai.

Mes tjerash, ai ka theksuar në draftin e ri të planit evropian u përfshin kërkesat e Serbisë, por jo edhe ato të Kosovës si njohja reciproke.

/Shqip.com