Lajme

Byroja e Sigurimit apelon mërgimtarët që ta paguajnë policën e sigurimit kufitar

Byroja Kosovare e Sigurimit ka apeluar tek mërgimtaret që të paguajnë policën e sigurimit kufitar.

Pas vendimit të dy qeverive shqiptare që të lehtësohet qarkullimi në pikën kufitare, është vërejtur se disa makina me targa të huaja kanë kaluar pa marrë policën.

Kjo është bërë e ditur përmes një komunikate për media nga Byroja Kosovare e Sigurimit.

“Pas vendimit të Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë për lehtësim të qarkullimit në pikën kufitare në Morinë është vërejtur se në këtë pikë kufitare kanë hyrë edhe vetura me targa të huaja e që nuk e kanë marrë fare policën e sigurimit kufitar në pikën e Byrosë Kosovare të Sigurimit në këtë pikë kufitare”, thuhet në komunikatën e BKS-së.

Nga kjo Byro kanë thënë se pajisja me policë sigurimi është edhe obligim ligjor në Kosovë.

“Andaj në momentin kur hyni në ketë pikë kufitare merrni policën e sigurimit në zyrat e Byrosë Kosovare të Sigurimit dhe më pastaj ju keni mundësi që të njëjtën ta rimbursoni përmes platformës së krijuar nga Qeveria e Kosovës”.

Siç njofton BKS-ja çdo dëm që shkaktohet nga automjetet e pasiguruara, pala e dëmtuar në bazë të ligjeve kompensohet nga Fondi i Kompensimit.

Por, pastaj të gjitha mjetet e shpenzuara Byroja i rimburson nga pala që ka shkaktuar aksidentin./Shqip.com