Lajme

Bujar Osmani uron Kosovën për 17 shkurt: Ndajmë të ardhmen e përbashkët euro-atlantike

Kryediplomati i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani.

Ministri i Punëve të Jashtme i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, ka uruar të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës me rastin e Festës së Pavarësisë.

“Nga zemra dua t’ua uroj Ditën e Pavarësisë së Republikës Kosovës, datë e rëndësishme jo vetëm për qytetarët e Kosovës, por për tërë rajonin”, ka thënë Osmani në një video-mesazh.

Ai ka theksuar se Maqedonia e Veriut dhe Kosova kanë marrëdhënie të shkëlqyera, miqësi të sinqertë dhe afatgjatë të bazuar në lidhjet e thella mes qytetarëve të dy vendeve.

“Si prijës të politikës, obligimi ynë është ta kultivojmë edhe më tutje bashkëpunimin e ndërsjellë, për çka jam më se i sigurt se do të vazhdojë me tempon e njëjtë edhe në të ardhmen”, ka deklaruar Osmani.

“Si dy fqinjë të afërt, ne na pret një e ardhme e përbashkët duke plotësuar interesat strategjike euroatlantike të dyja vendeve, përmes së cilave do të forcojmë stabilitetin dhe prosperitetin afatgjatë për të dy vendet dhe rajonin në përgjithësi. Gëzuar!”.

Kujtojmë se Republika e Kosovës sot, 17 shkurt, shënon 14 vjetorin e shpalljes së pavarësisë./SHQIP.com