Lajme Ballkan

Bujar Osmani: Javën që vjen mbërrijnë trupat e viktimave të tragjedisë

Kryediplomati i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani.

Ministri i Punëve të Jashtme i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, ka njoftuar se trupat e viktimave të tragjedisë së 23 nëntorit duhet të mbërrijnë gjatë javës së ardhshme, transmeton Shqip.com.

Kështu është shprehur ai në një konferencë për shtyp të mbajtur pranë Qeverisë, ku shtoi se sa i përket të lënduarve, planifikohet që nesër të transferohen dy të mbijetuarit e parë, më 28 nëntor dy të tjerë, ndërsa më 1 dhjetor edhe të tjerët.  

Siç njoftoi ai, fillimisht të lënduarit do të shtrohen në spitalin e Shkupit për kontroll mjekësor dhe pastaj do të transferohen nëpër shtëpitë e tyre.

Në orët e hershme të së martës, 46 persona kanë humbur jetën në një aksident të ndodhur në Bullgari, mes tyre 12 fëmijë.

Foto nga aksidenti në Bullgari

Deri te kjo ngjarje që mori dhjetëra jetë, dyshohet të ketë ndodhur kur autobusi është përplasur dhe më pas ka marrë flakë teksa udhëtonte në një autostradë në jug-perëndim të Sofias, rreth orës 02:00 të mëngjesit.

Të gjithë udhëtarët qenë shqiptarë me banim në Maqedoninë e Veriut dhe po ktheheshin nga një udhëtim në Stamboll të Turqisë.

Vetëm shtatë prej tyre mundën të dalin nga mjeti në flakë dhe tashmë janë në spital, ku po kurohen për djegiet. /Shqip.com