Ekonomi

Bucolli: Të gjitha termocentralet e KEK-ut janë në prodhim  

KEK
KEK

Termocentralet e KEK-ut që janë operative (B1 dhe B2 të Kosovës B dhe A3 e A4 të Kosova A) po vazhdojnë të funksionojnë mirë dhe në këto ditë të ftohta po imponojnë me gatishmërinë teknike të turbinave dhe të kaldajave, përkundër vjetërsisë së tyre të madhe dhe amortizimit nga puna e pandërprerë me decenie me radhë. Në saje të këtij stabiliteti të prodhimit në impiantet e KEK-ut dhe të kthimit të një sasie goxha të madhe të rrymës nga Shqipëria, gjatë këtyre ditëve, edhe përkundër temperaturave që kanë rënë më në fund edhe te ne nën zero, siç po shihet dhe po raportohet, janë evituar, së paku deri tash, reduktimet, që vitin e kaluar në këtë kohë thuaja se ishin bërë të përditshme.

Skënder Bucolli, zëdhënës i Korporatës Energjetike të Kosovës, i ka thënë sot Buletini Ekonomik se aktualisht në prodhim gjenden katër termocentrale të vendit (blloqet B1 dhe B2 të Kosovës B dhe A 3 e A4 të Kosovës A), të cilat prodhojnë diku rreth 760-780 megavatë-orë energji elektrike së bashku. Siç dihet, blloqet B1 dhe B2 të Kosovës B, kanë bashkërisht kapacitet rreth 600 megavatë në gjenerator, ndërsa në rrjet fuqia e tyre është 520 megavatë, ose secili bllok, aktualisht prodhojnë rreth 260 megavat-orë. Ndërsa blloku A 3 dhe A4 i termocentraleve Kosova A, kapacitetin në rrjet e kanë rreth 130 megavatë-orë, që do të thotë se bashkarisht prodhojnë 260 megavatë. Po të llogaritet gjithsej prodhimi aktual në këto katër njësi të prodhimit të energjisë elektrike nga termocentralet e vendit që janë funksionale, del që B1, B2 dhe A3 e A4-shi po prodhojnë bashkërisht diku rreth 780 megavatë-orë rrymë. Kësaj sasie të energjisë elektrike të prodhuar nga TC-të, duhet shtuar plus një sasi simbolike, diku rreth 50-60 megavatë-orë, herë-herë edhe më shumë, të energjisë së rinovueshme që prodhohet në vend (nga hidrocentralet e vogla të Kosovës dhe nga parqet e energjisë në bazë të erës në Shalë të Bajgorës dhe në Kitkë të Anamoravës).

Në raste, ose kur në zonat ku janë të instaluara impiantet e prodhimit të energjisë me erë (në Shalë të Bajgorës) dhe në Kitkë të Kamenicës) frynë më shumë erë, shtohen më shumë megavatët e prodhimit nga kapacitetet e energjisë së rinovueshme.

Në përshkrimin e gjendjes elektroenergjetike të vendit, duhet apostrofuar ndikimin imponues që po e ka në stabilitetin e sistemit elektroenergjetik të vendit kthimi i borxhit të energjisë elektrike nga Shqipëria tash e disa ditë me radhë. Sasia e rrymës diku rreth 1700 – 1800 megavatë-orë brenda 24 orëve, ose rreth 110-130 megavatë brenda një ore, që po merret nga Shqipëria sidomos gjatë këtij muaji, ka ndikim stabilizues në sigurimin e sasisë së rrymës së shtuar të kërkuar nga KEDS për nevojat e konsumit të vendit. Kjo ka relaksuar goxha shumë zhvillimet energjetike në Kosovë, e veçmas ka krijuar njëfarë qetësie në mjediset dhe ambientet e termocentraleve të vendit dhe të mbarë sistemit elektroenergjetik.

Nga Shqipëria dje janë marrë si kthim borxhi diku mbi 1700 megavatë energji elektrike gjatë 24 orëve, herë paksa më shumë, herë më pak, ka njoftuar zëdhënësi I KEK-ut për Buletinin Ekonomik. Ka pasur ditë gjatë dhjetorit që brenda 24 orësh sasia e energjisë elektrike nga Shqipëria, e dedikuar për sistemin elektroenergjetik të Kosovës, të shkojë edhe mbi 2-3 mijë e sa megavatë-orë.

Në këtë mënyrë prodhimi vendor (dje katër njësitë- B1, B2 dhe A3. A4) kanë prodhuar brenda 24 orëve afër 17 mijë megavatë energji elektrike. Mirëpo, siç u tha më lartë, sasisë së rrymës së prodhuar në njësitë prodhuese të vendit, këtyre ditëve duhet shtuar edhe 170 e sa megavët të energjisë nga Shqipëria, si kthim borxhi për sasinë e deponuar nga KEK-u në KESH, gjatë sezonit të verës, që tani po kthehet, duke i kontribuar ndjeshëm stabilitetit të sistemit elektroenergjetik të Kosovës edhe në këto ditë me konsum të shtuar të rrymës. Nëse vazhdon të mos rritet vrullshëm konsumi i rrymës në vend, përkatësisht të mbahet niveli që ishte gjatë disa ditëve të fundit edhe me zbritjen e temperaturave, 950 – 1,000 megavatë-orë, sasia e energjisë elektrike që KEK-u po i ofron aktualisht KEDS-it, është përafërsisht e mjaftueshme për të përmbushur nevojat e konsumit të vendit.

Nevojat eventuale për konsumin e Kosovës përtej sasisë që ofron KEK-u, detyrimisht KEDS-i duhet t’i importojë nga jashtë. Është evidente që ka rritje goxha të ndjeshme të konsumit, që I bie se Kosova me ftohjen e motit, uljen e madhe të temperaturave, duhet të bëhet gati edhe për të importuar sasi më të madhe të rrymës. Duhet theksuar gjithashtu se çmimi i energjisë së importuar, këto ditë ka filluar të ngritët vrullshëm, duke tejkaluar kështu në raste të shpeshta 500 euro për megavatë. Prandaj, duhet bërë përpjekje të mëdha që këtyre ditëve në vazhdim të kemi stabilitet në sistemin elektroenergjetik të vendit, edhe nëse ndodhin temperatura shumë më të ulëta se sa ato të deritashmet. Një mundësi e mirë për këtë, gjithsesi, do të jetë vazhdimi i kthimit të borxhit të energjisë elektrike nga Shqipëria me ritmin e këtyre ditëve. Shqipëria tani ka mundësi të mëdha për të prodhuar maksimalisht rrymë nga hidrocentralet e veta të shumta, sidomos nga ato të Kaskadës së Drinit, pasi që në saje të të reshurave të mëdha të shirave që po vazhdojnë edhe këtyre ditëve, akumulimet e ujërave në liqenet përkatëse të hidrocentraleve shqiptare janë përplotë ujë. Në këtë mënyrë, në Shqipëri janë krjijuar kushte të favorshme për të prodhuar më shumë rrymë, sasi kjo që është përtej nevojave të konsumit shqiptar.

Siç po njoftojnë mediet shqiptare, KESH-i një sasi goxha të madhe të energjisë elektrike po e eksporton, ndërsa po ka rrymë edhe për të kthyer borxhin ndaj Kosovës. Këtyre ditëve, gjatë orëve të natës, përkatësisht nga ora 02:00 deri në 07:00 të mëngjesit, një sasi goxha të shënueshme po e eksporton edhe KEK-u. Në këtë periudhë kohore, siç dihet, te ne bie shumë konsumi i rrymës, prandaj, tepricat po shiten në tregun ndërkombëtar të energjisë. Por, tani tepricat e rrymës në KEK kanë rënë shumë.

Sipas zëdhënësit të KEK-ut, Skënder Bucollit, gjatë orëve 02:00 deri në 07:00 të mëngjesit, pati ditë kur KEK-u ka eksportuar rreth 900 – 1000 e sa megavatë-orë energji, ndërsa dje gjatë natës kjo sasi e eksportit saktësisht ishte 303 megavatë-orë. Mirëpo, duhet thënë se nëse vazhdon të rritet më shumë konsumi, siç pritet realisht të ndodhë me ardhjen e ditëve të acarta dhe të dimrit të vërtetë, do të ketë mungesë shumë më të madhe të rrymës dhe situata elektroenergjetike doemos do të përkeqësohet. Për shpërputhjen evidente dhe të madhe të prodhimit dhe konsumit që pritet të ndodhë në ditët me temperatura të ulëta, vazhdojnë të alarmojnë edhe autoritetet e Kosovës.

Prandaj, KEDS-i, KOSTT-i dhe KEK-u nuk prajnë në vazhdimësi të bëjnë apele te konsumatorët që të kursejnë sa më shumë dhe gjithkund ku mund të kursehet rryma, të ulet konsumi i rrymës dhe prodhimin nga kapacitetet e vendit ta bëjmë sa më stabil. Është mirë, gjithsesi, që në nëntor ka ndodhur ulja e konsumit të energjisë elektrike.

Sipas ministres së Ekonomisë, Artane Rizvanolli, gjatë muajit nëntor te amvisëritë ka pasur ulje të konsumit prej 15 për qind në krahasim me vitin e kaluar. “Konsumi përgjatë këtij viti është ulur. Gjatë muajit nëntor, në amvisëritë është ulur konsumi për 15 për qind krahasuar me vitin e kaluar. Po flasim për dhjetëra milionë kursime si pasojë e kësaj. Para rreth një muaji, është vlerësuar se gjatë muajit të dimrit duhet të importohet 20 për qind energji elektrike. 300 milionë euro na duhen për të tejkaluar dimrin. Por si pasojë e kursimeve, parashikimet kanë ndryshuar”, kishte thënë Rizvanolli.

/Shqip.com