Lajme

Bucolli: Blloku A3 është ndalur por pritet të kthehet në funksion nesër

Blloku A3 i termocentralit “Kosova A” është jashtë funksionit që disa ditë.

Zëdhënësi i Korporatës Energjetike të Kosovës, Skënder Bucolli ka thënë për Shqip.com se ky bllok është ndalur ashtu siç është paralajmëruar dhe pritet të kthehet në funksion nesër.

“E kemi paralajmëruar se do të ndalët për 4-5 ditë blloku A3, por i njëjti do të kthehet në operim ditën e nesërme”, tha Bucolli.

Tutje, Bucolli tha se energjia elektrike është siguruar prandaj edhe nuk ka pasur reduktime të energjisë elektrike.

Skënder Bucolli

“Blloku A3 edhe pse është ndalur është siguruar energjia elektrike dhe nuk ka pasur reduktime”.

Kujtojmë se Korporata Energjetike e Kosovës ka njoftuar se është planifikuar të ndalët blloku A3 për një periudhë 4-5 ditore por që nuk janë dhënë detaje se kur do të ndodhë.

“Korporata Energjetike e Kosovës njofton se njësia A-3 është në punë por planifikohet për ndalje 4-5 ditore”, thuhej në njoftimin e KEK-ut.

KEK-u kishte njoftuar se lidhur me këtë janë marrë të gjitha masat e nevojshme për mbulimin e mungesave të planifikuara si dhe nuk pritet që të ketë reduktime të energjisë elektrike.