Lajme

BSPK-ja i kërkon Qeverisë që të ju shtojë nga 100 euro të punësuarve në sektorin publik

Ministri i Financave, i Punës dhe i Transfereve, Hekuran Murati gjatë ditës së sotme është takuar me kryetarin e Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, Atdhe Hykolli.

Përmes një komunikate për media BSPK-ja ka njoftuar se ne këtë takim ata kanë kërkuar nga ministri Murati që  të bëhet subvencionimi prej 100 euro për të punësuarit në sektorin publik.

“U fokusuan në zgjidhjen e kërkesave sindikale përkitazi me përfundimin e hartimit të Projektligjit të Pagave, me Plotësim-Ndryshimin e Ligjit të Skemave Pensionale të Financuara nga Shteti, dhe për nisjen e zbatimit të Ligjit të Sigurimit Shëndetësor, e sidomos u ndalën në gjetjen e rrugës së duhur për plotësimin e kërkesës së subvencionimit të pagës në lartësi prej 100€ për të gjithë të punësuarit në sektorin publik për kohën deri në miratimin e Ligjit të Pagave”, thuhet në njoftim e BSPK-së.

BSPK-ja ka njoftuar Muratin se pret një vendim të duhur sa i përket kërkesës për miratimin e shtesës prej 100 euro për këtë kategori, para 10 gushtit.

“BSPK-ja pret veprimin e duhur të Qeverisë që para mbledhjes së 10 gushtit 2022 të Kryesisë Ekzekutive të BSPK-së, ku pritet të merret vendimet e duhura për veprimet e mëtutjeshme sindikale, të mundohet të gjejë rrugëzgjidhjen e duhur të zgjidhjes e të miratimit të kërkesave të parashtruara e sidomos të kërkesës së subvencionimit të pagave në lartësi prej 100€ për të gjithë të punësuarit në sektorin publik.

Kjo kërkesë sipas BSPK-së është deri në miratimin e Ligjit të Pagave./Shqip.com