Lajme

“Brokeri i energjisë Marin Gjonaj ortak me deputetin e VV”/ Gjonaj Group reagon pas lajmeve: Akuza të pabaza ndaj ETMT Energy, respektojmë ligjet e Kosovës

Pas lajmeve të publikuara në media se brokeri i energjisë Marin Gjonaj është ortak me deputetin e Vetëvendosjes, Ejup Ahmeti, kompania ETMT Energy, pjesë e Gjonaj Group me pronar Marin Gjonaj dhe Artur Micko, ka reaguar publikisht duke hedhur poshtë akuzat e ngritura ndaj saj.

Në një deklaratë për mediat, kompania e kontrolluar nga Gjonaj Group i cilëson pretendimet si të pabazuara dhe dezinformuese, duke theksuar se respekton ligjet e Kosovës dhe se aktiviteti i saj zhvillohet në përputhje me standardet ligjore dhe rregullatore të tregut të energjisë.

Kompania mohon çdo lidhje me aktivitete të paligjshme, manipulim të çmimeve apo ndikim politik, ndërsa nënvizon se debati publik për sektorin energjetik duhet të mbështetet në fakte të verifikuara dhe jo në insinuata që dëmtojnë reputacionin e bizneseve.

Reagimi i plotë për mediat

Përgënjeshtrim publik ndaj manipulimeve, insinuatave dhe akuzave të pabaza ndaj ETMT Energy në Kosovë Gjonaj Group Holdings News Media Përgënjeshtrim publik ndaj manipulimeve, insinuatave dhe akuzave të pabaza ndaj ETMT Energy në Kosovë

ETMT Energy hedh poshtë në mënyrë kategorike akuzat dhe insinuatat e përmendura në qëndrimet publike dhe artikujt e individëve dhe disa mediave tradicionale dhe online në Kosovë, të cilat janë manipuluese dhe dezinformuese. Artikujt paraqesin në mënyrë selektive fakte të pjesshme, heqin kontekstin thelbësor dhe krijojnë insinuata mashtruese që shtrembërojnë perceptimin publik, dhe pa asnjë përcaktim nga një autoritet kompetent mbi aktivitetin e biznesit që do të mbështeste këto manipulime serioze, gënjeshtra dhe etiketime shpifëse, të bëra kundër ETMT Energy dhe personave të lidhur me këtë kompani.

ETMT Energy operon në përputhje të plotë me ligjet dhe aktet në fuqi që rregullojnë tregun e energjisë. Kompania zhvillon biznesin e saj në përputhje me standardet profesionale, tregtare dhe rregullatore të zbatueshme në Kosovë dhe në sektorin e energjisë në rajon.

ETMT Energy është një kompani tregtare energjetike, jo një aktor politik. Prandaj, ajo nuk duhet të përfshihet ose të instrumentalizohet për mosmarrëveshje politike ose fushata zgjedhore. Debati publik mbi çështjet e tregut të energjisë në Kuvendin e Republikës së Kosovës është legjitim dhe i rëndësishëm, por duhet të bazohet në fakte, informacion të verifikuar dhe raportim të ekuilibruar, veçanërisht kur rrezikohet reputacioni i një kompanie që vepron ligjërisht.

Përpjekja e artikujve për ta lidhur ETMT Energy me sjellje të paligjshme, ndikim politik, manipulim të tregut ose përkatësi të papërshtatshme rajonale është tërësisht e pabazuar dhe duket se është e dizajnuar për të krijuar sensacion dhe për të dëmtuar reputacionin e kompanisë.

Në veçanti:

ETMT Energy mohon kategorikisht çdo përfshirje në aktivitete ose praktika të paligjshme që synojnë të dëmtojnë konsumatorët ose të manipulojnë çmimet e energjisë elektrike;

ETMT Energy udhëhiqet nga një filozofi me ndikim social si pjesë e misionit të saj strategjik;

Pronarët e vetëm të ETMT Energy janë bashkëthemeluesit z. Marin Gjonaj dhe z. Artur Micko dhe mohohet kategorikisht se ndonjë individ tjetër është i angazhuar në pronësi ose në ndonjë funksion të ngjashëm lidhur me ETMT Energy;

ETMT Energy në Kosovë, është në pronësi 100% të Ener Trade Shpk në Shqipëri.

Çdo marrëdhënie biznesi ose transaksion tregtar i ndërmarrë nga kompania kryhet në mënyrë të ligjshme, transparente dhe në përputhje me rregulloret e tregut;

Ener Trade Shpk në Shqipëri është e specializuar në Tregtimin me Shumicë të Energjisë Elektrike me prani në 12 vende, e licencuar në Mal të Zi dhe në Shqipëri dhe, nëpërmjet kompanive bija dhe partnerëve të saj, e licencuar për Tregti me Shumicë të Energjisë Elektrike në Hungari, Itali, Slloveni, Kroaci, Bullgari, Greqi, Serbi, Bosnje dhe Hercegovinë, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut.

Ener Trade Shpk në Shqipëri dhe kompanitë e saj bija kanë tregtuar fizikisht më shumë se 3 TWh energji elektrike në 12 vende çdo vit gjatë 5 viteve të fundit. Ener Trade Shpk në Shqipëri raportoi të ardhura të larta çdo vit, konkretisht 399 milionë euro në vitin 2022 dhe 199 milionë euro në vitin 2025.

Ener Trade Shpk në Shqipëri është pjesë e Gjonaj Group Holdings dhe ka prani globale në më shumë se 15 vende, e themeluar që nga viti 2009, me më shumë se 1000 punonjës aktivë në më shumë se 20 kompani në të gjithë botën.

ETMT Energy në Kosovë, pasi konkurroi në ankandin vjetor të KESCO-s për importet e energjisë së Kosovës për vitin 2026, e fitoi këtë ankand, duke ndjekur një procedurë shumë transparente, me procedurë ofertash të mbyllura me hapje publike të ofertave.

Artikujt nuk arrijnë të ofrojnë raportimin e plotë lidhur me të dhënat e mësipërme, verifikimin faktik nga A në Zh.

Artikujt dhe qëndrimet publike nuk i dhanë mundësi ETMT Energy të reagonte në mënyrë adekuate para publikimit, gjë që tregon qartë një qëllim dashakeq të etiketimit shpifës dhe manipulimit të perceptimit publik;

Përdorimi i gjuhës nxitëse dhe i aludimeve me ngarkesë politike përbën një sulm serioz ndaj integritetit dhe reputacionit profesional të kompanisë.

©Shqip.com