Sport Shqiptar

Broja afër kalimit te skuadra e Ligës Premiere

Mediat britanike këmbëngulin se sulmuesi shqiptar Armando Broja do të lërë ekipin e Chelsea këtë verë për t’u transferuar të rivalët e West Ham.

Sulmuesi kuqezi do të qëndrojë kështu në Londër, por do të luajë për “hammers”, ku pritet të ketë më shumë hapësira pas blerjeve të shumta që ka kryer Chelsea.

Skuadra e West Ham dëshiron të nënshkruajë me 21-vjeçar shqiptar, që vlerësohet shumë në Angli për aftësitë e tij të shkëlqyera para porte. Pak ditë më parë, Broja shprehu habinë e tij për faktin se trajneri Pochettino solli një sulmues të ri te Chelsea, duke bërë që konkurrenca për një vend titullari të jetë më e madhe.

West Ham po monitoron prej kohësh situatën dhe nuk tremben nga fakti që Broja vjen nga dëmtim i rëndë në dhjetorin e kaluar. Shqiptari është përshkruar si një sulmues “I jashtëzakonshëm” (The Athletic), ndërsa One Football e cilëson atë si “vdekjeprurës”.

Broja duket se i përshtatet në mënyrë ideale lojës që trajneri David Moyes aplikon te West Ham. Duke marrë parasysh mënyrën në të cilën ai e kalon kundërshtarin me vrapime të palodhura në krahë, është e lehtë të kuptohet pse Moyes dëshiron të nënshkruajë atë.

/Shqip.com