Lajme Ballkan

Brnabiq në Paris: Fillimisht formimi i Asociacionit, e pastaj mund të flasim për planin franko-gjerman

Serbia ka mbështetjen e plotë të Francës që marrëveshjet e nënshkruara nga Beogradi dhe Prishtina duhet të zbatohen, tha kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiq sonte në Paris pas takimit me kryeministren franceze, Elizabeth Bourne.

Pas takimit, Brnabiq u tha gazetarëve se Prishtina duhet të zbatojë Marrëveshjen e Brukselit dhe t’i bashkohet formimit të Asociacionit sepse pa këtë nuk ka kuptim të diskutohen propozime të tjera.

Ajo duke iu përgjigjur pyetjes së një gazetari, nëse është folur për një propozim franko-gjerman për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, theksoi se pikërisht për shkak se njëra palë po e shkel marrëveshjen e mëparshme për normalizim dhe refuzon t’i zbatojë ato, nuk ka kuptim të diskutohet për propozime të reja, raporton Tanjug.

Edhe presidenti serb, Vuçiq para disa ditësh kishte deklaruar se ka synime të tjera në raport me Kosovën.

“Kur të formohet bashkësia e komunave serbe, atëherë do të shkojmë në diçka tjetër”, tha ai.

Ai shtoi se është i vetëdijshëm për situatën e komplikuar që i pret. Ndryshe, ai e pranoi se përfaqësuesit evropianë, por edhe ata amerikanë, ishin shumë racionalë në marrëdhëniet e tyre.

Ndryshe, së fundmi kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq në Bruksel, arritën pajtim që Serbia të mos japë më targa me emërtimet e qyteteve të Kosovës, ndërsa Qeveria e Kosovës nuk do të vazhdojë detyrimin për riregjistrimin e veturave.

/Shqip.com