Lajme Ballkan

Brnabiq: Kurti votoi në Shqipëri, të mos ju mohohet kjo e drejtë serbëve më 3 prill

Kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiq.

Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, ka deklaruar se gjatë takimit në Bruksel ka folur rreth moslejimit të referendumit serb në territorin e Kosovës.

Ky veprim i Kosovës, sipas saj është “një precedent i tmerrshëm”.

“Ne kemi folur më së shumti rreth asaj se si të drejtat elementare janë mohuar për serbët në Kosovë, e që më së miri u pa më 16 janar, kur atyre iu ndalua pjesëmarrja në referendum dhe votimi, gjë që është një precedent i tmerrshëm”, ka thënë Brnabiq gjatë një interviste për Blic.rs.

Ilustrim

E kur bëhet fjalë për zgjedhjet e 3 prillit, ajo tha se Bashkimi Evropian është zotuar se do të angazhohen sa të munden, që të mos përsëritet ajo çfarë ndodhi me referendumin.

Ajo tutje ka thënë se serbët e Kosovës duhet të lejohen që të votojnë në zgjedhjet e Serbisë. derisa përmend faktin se kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka votuar në zgjedhjet e Shqipërisë.

“Një gjë e tillë nuk duhet të lejohet. Nuk duhet lejuar që serbëve t’iu mohohen të drejtat bazike për pjesëmarrje në zgjedhjet që Serbia do t’i mbajë”, ka thënë Brnabiq duke shtuar se vendimi i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit për të mos lejuar votimin e serbëve në referendum ka qenë një “hipokrizi”, meqë Kurti ka marrë pjesë dhe ka votuar në zgjedhjet e Shqipërisë./Shqip.com