Breshëri plumbash drejt “G Class”-it/ 4 të plagosur, mes tyre dy familjarët e pronarit të një kompanie sigurimi, të miturit ende në gjendje të rëndë

Katër persona mbetën të plagosur në një atentat me armë zjarri mbrëmjen e së enjtes në Tiranë.
Ngjarja u shënua në zonën e Lundrës, në periferi të kryeqytetit.
Dy prej të plagosurve janë të mitur, të moshave rreth 11 dhe 17 vjeç.
Po ashtu të plagosur mbetën edhe dy shtetasit me iniciale K. M., 19 vjeç, dhe A. S., 34 vjeç.
Policia njoftoi se katër të plagosurit me armë zjarri ndodhen në spitalin e Traumës, ku dy të miturit mësohet se janë në gjendje të rëndë shëndetësore.
Nga informacionet e dhëna, të plagosurit janë familjarë të pronarit të një kompanie sigurimi në Tiranë.
Ata u qëlluan me breshëri plumbash teksa ishin duke udhëtuar me makinën tip “G Class”.
Pas hapjes së zjarrit, autorët u larguan nga vendngjarja.
Atentatorët më pas kanë djegur automjetin e përdorur në zonën e Lundrës, në një përpjekje për të humbur gjurmët.
Uniformat blu të kryeqytetit kanë ngritur pika kontrolli në të gjithë zonën dhe në pikat kyçe të Tiranës për kapjen e autorëve.
Ende nuk dihen motivet për ngjarjen e rëndë, ndërkohë që po punohet për zbardhjen e rrethanave të atentatit.
/Shqip.com