Lajme

Brenda tri viteve, Serbia pasivizoi 90 për qind të shqiptarëve të Medvegjës

Medvegja

Organet shtetërore të Serbisë lanë pa dokumente identifikimi dhe pasivizuan nga listave e votuesve 90 për qind të shqiptarëve të komunës së Medvegjës.

Brenda tri viteve, numri i votuesve në këtë komunë u zvogëlua dukshëm.

Anëtari i Këshillit për marrëdhënie ndëretnike në komunën e Medvegjës, Arben Ferati, për SHQIP.com tha se nga pesë mijë sa votues, tani kanë mbetur afërisht 500.

“Deri në hyrjen e NATO-s në Kosovë, dikund numri ka qenë 6 mijë i shqiptarëve në Medvegjë. Pastaj pjesa dërrmuese është shpërngulur si shkak i dhunës në vitin 1999. Nga afër 5 mijë votues që i kemi pas para tri vitesh, tash i kemi qindra votues, ndoshta 500”, u shpreh Ferati.

Kritika drejton ndaj partive shqiptare të Luginës së Preshevës dhe Bujanocit, të cilat sipas tij, janë treguar neglizhente ndaj shqiptarëve që banojnë në Medvegjë.

“Liderët tonë në Preshevë e Bujanoc kanë qenë neglizhentë, kanë qenë të vonuar edhe arsyetohet me atë që e kemi përmend problemin. Mirëpo përmendja, alarmimi dhe udhëheqja e një kampanje politike për këto probleme janë gjëra të ndryshme”, tha ai.

Ferati ishte pjesëmarrës në takimin e thirrur nga kryeministri, Albin Kurti i cili u mbajt në zyren e këtij të fundit.

Këtë takim e cilëson si të “mirë”, por që thotë se pret strategji konkrete nga Qeveria e Kosovës për Presheven, Medvegjen dhe Bujanocin.

“Mirë që ka interesim të Qeverisë së Kosovës për me pas takime të rregullta dhe inkurajuese, por situata është se kërkon një strategji më të qartë më konkrete. Situata në këto tri komuna është se kanë probleme të hatashme me Serbinë. Sidomos, në Medvegjë është duke e marrë një aksion me mjete administrative. Ja ka marrë të drejtat 90 për qind të popullatës shqiptare që janë Medvegjas të lindun e të rritur këtu”, u shpreh Ferati për Shqip.com.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në takim me politikanët nga Lugina e Preshevës

Në takimin e sotëm me përfaqësuesit e Luginës së Preshevës, është diskutuar edhe për rezultatet e procesit zgjedhor në Serbi.

Në zgjedhjet e 3 prillit partitë shqiptare garuan me dy lista “Koalicioni i Shqiptarëve të Bashkuar” dhe “Alternativa Demokratike Shqiptare”.

Asnjëra prej këtyre dy partive, nuk mori votat e mjaftueshme për të fituar një ulëse në parlamentin e Serbisë./Shqip.com