Lajme

Brenda tre muajve asgjësohen 40 ton mish

Ilustrim

Nga janari deri në muajin mars janë asgjësuar 40 ton mish nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AVUK).

Vetëm në një rast janë asgjësuar 38 ton mish.  

Zëdhënësi i AVUK-it, Lamir Thaçi  ka deklaruar se aksionet janë bërë të mundur falë kontrolleve të bashkërenduara me prokurorinë dhe policinë.

Deklaron se inspektori menjëherë ka nxjerrë vendim për konfiskim  dhe asgjësim të gjithë sasisë që është gjetur.

“Në këtë fillim vit rasti që është paraqitur ka qenë në regjionin e Pejës por nuk do të thotë që nuk do të ketë raste edhe në vende të tjera. Nuk mund të paragjykojmë se vetëm një regjion ka probleme por kudo që hasen ato inspektorët do të jenë pa kompromis ndaj secilit rast që ka dyshime të bazuara që është duke u vendosur ndonjë produkt ushqimor në treg i cili nuk i plotëson kushtet. Ne jemi të obliguar, kemi mandatin ligjor dhe jemi të thirrur për të kryer detyrat zyrtare dhe këtë do ta bëjmë që t’i mbrojmë konsumatorët” është shprehur ai.

Ai ka paralajmëruar masa ndaj atyre që nuk e respektojnë ligjin dhe rregulloret në fuqi, por edhe aksione të tjera me synim mbrojtjen e konsumatorëve.

“Në bazë të ligjeve në fuqi inspektori menjëherë ka nxjerrë vendim për konfiskim dhe asgjësim të gjithë sasisë që është gjetur në këtë depo ftohëse dhe organet e tjera sigurisht kanë arrestuar personat përgjegjës dhe do të dërgohet fletëparaqitje për gjykatë dhe pastaj gjykata është ajo që vendos për masën ndëshkimore ndaj operatorit të biznesit”, ka thënë Thaçi /Shqip.com