Ekonomi Çmimet e naftës dhe derivateve të saj kanë arritur deri në 1.34 euro në Kosovë. Nga Shoqata e Naftëtarëve thonë se “sipas të gjitha gjasave do të ketë rritje ekstreme”

Brenda ditës një kompani e derivateve të naftës rriti dy herë çmimet

Vetëm brenda një dite, një kompani e derivateve në Skenderaj rriti dy herë çmimet.

Konsumatorët fillimisht u furnizuan me disel prej 1.24 euro për litër, pastaj u rrit në 1.26 euro dhe pasdite klientët e saj u përballën me një çmim krejt tjetër, prej 1.29 euro.

Pronari i kësaj kompanie, këtë rritje që ka ndodhur tre javë më parë e arsyeton me ndryshimin e çmimeve në Berëzën Ndërkombëtare.

“Brenda ditës është ndërruar dy herë çmimin i derivateve, kjo është rritja më e madhe që kemi pasur ndonjëherë. Nuk ka qenë dëshirë e jona, por çmimi është rritur nga Berëzën Ndërkombëtare’.

Por, ky nuk ishte rasti i vetëm.

Siç tregon ai për Shqip.com, në tre muaj e fundit e kanë ndryshuar pesë herë çmimet.

Aktualisht, çmimi i disel po varion nga 1.23 deri 1.32 euro dhe i benzinës nga 1.25 deri në 1.34 euro.

Çmimet të papërballueshme për qytetarët që udhëtojnë me veturë

Kjo rritje e çmimeve të naftës dhe derivateve të saj më së shumti po i dëmton qytetarët të cilët shfrytëzojnë veturën për të shkuar në punë.

Ata thonë se po detyrohen që të vihen në kërkim të pikave të naftës që kanë çmimet më të lira.

“Kjo rritje është e papranueshme duke konsideruar që ne jemi shtet i varfër. Udhëtoj 40 km çdo ditë nga Malisheva në Prishtinë dhe shoh që çmimi nuk është i njëjtë. Një pompë gjatë rrugës për Komoran ka çmimin 1.19 ndërsa ajo në hyrje të Prishtinës 1.29”, ka deklaruar Edona Mazreku.

Edhe qytetari tjetër, Arben Gjergjaj ka treguar se ky ndryshim i çmimeve është duke i irrituar ata.

“Fatkeqësisht rastet janë të shpeshta. Prishtina ka çmimin më të lartë duke ndryshuar në 0.20 cent në litër krahasuar me Klinën”.

Kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve: Do të ketë rritje ekstreme

Kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, Fadil Berjani, thotë se nuk do të ketë ulje të çmimeve.

“Sipas të gjitha gjasave do të ketë rritje ekstreme, por dihet që muajin dhjetor organizata prodhuese OPEC ka thënë se në muajin janar do të stabilizohet tregu, por kjo nuk është duke ndodhur.

“Këto janë çmimet më të larta të derivateve në 20 vjetët e fundit në tregjet ndërkombëtare dhe në Kosovë. Arsyeja e rritjes së çmimeve është se organizata prodhuese ka reduktuar prodhimin dhe kemi rritje të kërkesës”.

“Në dhjetor patë deklaruar organizata prodhuese ‘OPEC’ se  do të ketë stabilizim të tregut në janar po kjo nuk është duke ndodhur”, ka shtuar ai./SHQIP.com