Ekonomi

BQK: Sektori bankar është i sigurt

Banka Qendrore e Kosovës
Banka Qendrore e Kosovës

Sektori Bankar është i sigurt.

Kështu kanë bërë të ditur nga Banka Qendrore e Kosovës.

“Banka Qendrore e Republikës së Kosovës, dëshiron t’i siguroj të gjithë qytetarët se sektori bankar është i sigurt dhe nuk ka nevojë për panik. Përkundër sfidave të ndryshme teknologjike, BQK në bashkëpunim me Shoqatën e Bankave të Kosovës dhe bankat komerciale, kanë ndërmarrë të gjitha masat, që klientët të mos dëmtohen nga asnjë veprim i kundërligjshëm”, thuhet fillimisht në reagimin e BQK-së.

Po ashtu është bërë e ditur se BQK është duke bashkëpunuar ngushtë me të gjitha institucionet e sigurisë për të adresuar çdo nevojë në zgjidhjen e problemeve në këtë sektor.

“BQK gjithashtu është angazhuar shumë në zgjidhjen e të gjitha ankesave të konsumatorëve dhe e ka ndër prioritetet kryesore të saj, mbrojtjen e të drejtave të konsumatorëve. Falë fushatave të ndërmarra është rritur edhe ndërgjegjësimi i qytetarëve për të raportuar për rastet”, thuhet në reagim.

Nga BQK-ja kanë treguar edhe për numrin e ankesave të qytetarëve për keqpërdorim të kartelave bankare.

“Nga viti 2018 deri më tani, numri i ankesave të qytetarëve për keqpërdorim të kartelave bankare është 139. Në vitin 2018 janë 12 raste, në vitin 2019 janë 36 raste, në vitin 2020 janë 29 raste në vitin 2021 janë 18 raste dhe 22 janë 44 raste”, thonë nga BQK-ja.

Gjithashtu është bërë e ditur se deri në tetor të këtij viti, janë lëshuar, mbi 1 milionë kartela për blerje elektronike dhe janë bërë 38 mijë e 112 transaksione në vlerë prej 2 milionë e 431 mijë e 910 euro.

/Shqip.com