Ekonomi

BQK: Rregullorja nuk e kufizon aktivitetin këmbimor

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK)
Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK)

Banka Qendrore e Kosovës ka dalë me një video shpjeguese në lidhje me rregulloren e re për operacionet me paratë e gatshme, që ka hyrë në fuqi më 1 shkurt. Në videon shpjeguese të publikuar në Facebook, BQK-ja ka treguar se çfarë parasheh Rregullorja.

“Rregullorja parasheh procedurat e trajtimit dhe tërheqjes nga qarkullimi të kartëmonedhave dhe monedhave euro dhe të valutave të tjera të dyshuara si të falsifikuara. Rregullorja në fjalë ka përcaktuar edhe kriteret për këmbimin e kartëmonedhave dhe monedhave euro të dëmtuara, si dhe kushtet për transaksionet e pagesave me para të gatshme. Kjo Rregullore nuk ndalon apo kufizon pranimin e mjeteve në llogaritë bankare në euro në bankat e licencuara dhe as nuk kufizon aktivitetin këmbimor të cilësdo valutë që kryhen nga institucionet financiare bankare ose jo-bankare të licencuara nga BQK. Andaj, të gjithë individët, kanë qasje në llogari bankare dhe mund të pranojnë mjete në llogaritë e tyre në euro, përmes kanaleve të ndryshme ligjore”, është thënë nga BQK-ja.

BQK-ja ka thënë se gjithë qytetarët që kanë llogari në euro, në bankat e licencuara në Kosovë, mund ta përdorin atë për të pranuar mjete nga shtetet tjera.

E ata që nuk kanë llogari, sipas saj, mund ta hapin në cilëndo bankë, ndërsa grupet e cenueshme e të skemave sociale nuk paguajnë tarifë për hapje apo mirëmbajtje.

“Vetëm në katër komunat veriore, operojnë katër degë bankare, tri institucione mikrofinanciare (kredidhënëse), si dhe mbi 15 institucione financiare jobankare për pagesa dhe këmbimore. Numri i degëve dhe zyrave të institucioneve financiare që operojnë në atë zonë është në rritje, pasi përfshirja financiare është objektiv i BQK-së. BQK për të ofruar informata plotësuese, në mënyrë të thjeshtë dhe të kuptueshme për qytetarët e Kosovës, ka lëshuar në funksion linjën PA PAGESË 0800 222-55. Kjo linjë është e dedikuar për qytetarët nga komuniteti serb që jetojnë në vendin tonë dhe kanë nevojë të informohen drejt dhe konkretisht”, thuhet nga BQK-ja.

/Shqip.com