Ekonomi

BQK nxjerrë rregullore, do lirohen shërbimet bazike nga bankat për qytetarët

Banka Qendrore e Kosovës ka nxjerrë një rregullore të re me të cilën do të ju mundësojë qytetarëve që të marrin shërbime nga bankat me çmime më të arsyeshme.

Rregullorja për qasjen në llogari pagese me shërbime bazike do të ju lejoj qytetarëve që të kenë një llogari bankare përmes të cilës do të mund të bëjnë debitimin direkt, transaksione të pagesave përmes një kartele, duke përfshirë edhe pagesat në internet, transferet brenda bankës, urdhëresat automatike, ato në bankomatë, në sportele dhe përmes platformave online.

“Konsumatorët ekzistues të cilët posedojnë llogari pagese, me kërkesë kanë të drejtë të konvertojnë llogarinë e tyre në llogari pagese me shërbime bazike nëse plotësojnë kushtet e parapara sipas kësaj rregullore. Me rastin e konvertimit të llogarisë aktuale, konsumatorit i ruhet numri i llogarisë (IBAN). Për konvertimin e llogarisë së pagesës nuk aplikohet tarifë”, thuhet në rregullore.

Rregullorja ka përcaktuar se këto shërbime do të ofrohen nga bankat në formë të njëjtë që bankat u ofrojnë konsumatorëve që mbajnë llogari pagese.

Gjithashtu, bankat mund të lejojnë produktin e mbitërheqjes dhe kredisë për konsumatorët në llogarinë e pagesës me shërbime bazike.

Ndërsa, pa tarifa shtesë, duhet të lejojnë konsumatorët të menaxhojnë dhe të kryejnë transaksionet e pagesave nga llogaria e pagesës me shërbime bazike përmes platformave online, kur është e mundur.

BQK ka përcaktuar që bankat duhet të mos e kalojnë kompesimin e ofrimit të këtyre shërbimeve më shumë se 0.12% e vlerës së pagës mesatare neto mujore në Kosovë, e publikuar më së fundmi nga Agjencia e Statistikave të Kosovës.

Rregullorja në fjalë, ka përcaktuar edhe një grup të konsumatorëve të cenueshëm, të cilët do të jenë tërësisht të liruar nga pagesa.

Pensioni bazë, kontribut pagues, pensioni për persona me aftësi të kufizuar të rritur, për ata paraplegjik dhe tetraplegjik, si dhe për persona me aftësi të kufizuar – fëmijë. Gjithashtu, do të ketë lirime edhe për pensionet e parakohshme të kompleksit Trepça, pensionet i pjesëtareve të TMK-së, pensioni i forcës së sigurisë FSK-së, kompensimi për të verbër, pensioni familjar, pensioni i invalidëve të punës, pensioni i familjareve të dëshmoreve, pensioni i invalidëve të luftës, pensioni i viktimave civilëve, pensioni i invalidëve civil, pensioni i të zhdukurve të luftës, pensioni i veteranit luftëtar të UÇK-së, ndihma sociale.

Mirëpo, kjo listë mund të shtohet me konfirmim të Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve.

BQK ka kërkuar nga bankat që të vënë në dispozicion të konsumatorëve, pa pagesë, informacionin e qartë dhe të kuptueshëm mbi të drejtën për të hapur dhe përdorur një llogari pagese me shërbime bazike.

Me këtë rregullore janë përcaktuar edhe kushtet për ndërprerjen e kontratës mes bankës dhe klientit, por edhe masat nëse njëra nga palët negociuese ka bërë shkelje.

Rregullorja për qasjen në llogari pagese me shërbime bazike do të hyjë në fuqi më 1 gusht të këtij viti, pos nenit 5, ku janë të përfshira kategoritë e cenueshme apo ato të pensioneve të ndryshme, e cila do hyj në fuqi tek në janarin e vitit 2024.

/Shqip.com