Sport Ndërkombëtar

Bosnja zhvillon miqësore me Rusinë, reagon Pjanic

Rusia do të luajë me Bosnjën dhe Hercegovinën në një ndeshje miqësore në nëntor.

Një gjë të tillë e ka konfirmuar Federata e Futbollit të Bosnjës në faqen e saj zyrtare të premten, duke shkaktuar kritika nga mesfushori i Bosnjës, Miralem Pjanic dhe kryetari i bashkisë së Sarajevës.

Ndeshja do të zhvillohet në Shën Petersburg më 19 nëntor, një ditë para fillimit të Kupës së Botës në Katar.

Ekipet kombëtare të Rusisë u ndaluan nga garat ndërkombëtare për shkak të pushtimit të Ukrainës nga Moska, të cilin Moska e quan një “operacion special”.

Bosnja nuk arriti të kualifikohej në Kupën e Botës.

“Vendimi nuk është i mirë. Unë jam pa fjalë,” u citua të ketë thënë Pjanic nga mediat boshnjake, shkruan Reuters. “Në Federatën Kombëtare të Futbollit, ata e dinë se çfarë mendoj unë.”

Ish-lojtari 32-vjeçar i Juventusit dhe Barcelonës ka bërë 107 paraqitje ndërkombëtare që nga debutimi i tij në vitin 2008. Ai tani luan për Sharjah FC në Emiratet e Bashkuara Arabe.

Kryetarja e kryeqytetit të Bosnjës, Sarajevës, Benjamina Karic, gjithashtu reagoi negativisht në rrjetet sociale ndaj vendimit.

“Sarajeva si qyteti që ka qenë nën rrethimin më të gjatë nga agresorët dhe unë si kryetar bashkie dënojmë me forcë vendimin e Federatës Kombëtare të Futbollit për të luajtur një ndeshje miqësore me Rusinë. Nëse vendimi nuk anulohet, ne do të ndërpresim bashkëpunimin me Federatën e Futbollit, i cili deri më tani ka qenë i frytshëm”.

Polonia, Suedia dhe Republika Çeke thanë se nuk do të luanin kualifikueset e Kupës së Botës kundër Rusisë në mars përpara se ekipet kombëtare të Rusisë të ndaloheshin nga garat ndërkombëtare./Shqip.com