Lajme

Bosch për referendumin: Kosova është shtet i pavarur dhe më në fund do të veprojë si e tillë

Robert Dosch, ish-ambasador i Holandës në Kosovë

Ish-ambasadori i Holandës në Kosovës, Robert Bosch, ka përkrahur vendimin e Qeverisë së Kosovës për të moslejuar mbajtjen e referendumit serb në territorin e saj.

Edhe shtetet e QUINT-it siç ka thënë ai, duhet ta duartrokasin dhe mbështesin këtë vendim.

Sipas Bosch, Kosova është shtet i pavarur dhe më në fund do të veprojë si i tillë.

“Vetëm përgjigje të duhur ndaj deklaratës shumë të çuditshme të QUINT-it. Veçanërisht QUINT-i duhet të kuptojë se Kosova është shtet i pavarur dhe më në fund gjithashtu do të veprojë si i tillë”.

“QUINT-i duhet ta duartrokasë dhe ta përkrahë qeverinë”, ka shkruar ai në llogarinë e tij në Facebook.

Shtetet e QUINT-it i kanë bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që të lejojë serbët në Kosovë të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës në zgjedhje për referendumin e 16 janarit në Serbi.

Përmes një komunikate, thuhet se ato mirëpresin referendumin kombëtar të Serbisë për ndryshimet kushtetuese duke vlerësuar si hap kyç për forcimin e pavarësisë së gjyqësorit.

“Vërejmë me keqardhje se qeveria e Kosovës nuk ka lejuar Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) të mbledhë fletëvotimet e votuesve me të drejtë vote që jetojnë në Kosovë për referendumin e ardhshëm, në përputhje me praktikën e kaluar.

Ne i bëjmë thirrje qeverisë së Kosovës që të lejojë serbët në Kosovë të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës në zgjedhje dhe procese zgjedhore në përputhje me këtë praktikë të vendosur”, thuhet ndër tjerash në komunikatë.

Sipas tyre, përmes këtyre reformave Serbia është një hap përpara drejt përafrimit me standardet evropiane dhe se do mbështesin procesin e anëtarësimit të Serbisë në Bashkimit Evropian./SHQIP.com