Lajme

Borrell uron Begajn: Mandati juaj fillon në një moment historik për Shqipërinë

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell

Shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borrell ka uruar Bajram Begajn pas betimit si president i ri i Shqipërisë.

Nëpërmjet një postimi në Twitter, Borrell shkruan se mandati i Begajt vjen në moment historik kur Shqipëria kishte hapur negociatat për anëtarësim në BE.

“Urime Bajram Begajt për betimin si president i Shqipërisë. Mandati juaj fillon pasi vendi juaj ka arritur një moment historik në rrugën e tij drejt BE-së. Ne mezi presim të vazhdojmë të ecim përpara në rrugën tonë të përbashkët në BE. Ne jemi së bashku më të fortë”, shkruan kryediplomati evropian.

Bajram Begaj president i Shqipërisë

Bajram Begaj është betuar më 24 korrik në Kuvendin e Shqipërisë si president i ri i vendit.

Në fjalën e tij para të pranishmëve në seancë, Begaj tha se ai do të jetë në shërbim të qytetarëve.

Begaj do të pasojë në këtë detyrë Ilir Metën, i cili u zgjodh si President i republikës në vitin 2017-të.

Bajram Begaj u zgjodh president i ri i Republikës në datë 4 qershor me 78 vota pro, 4 kundër dhe 1 abstenim.

Begaj u zgjodh President në raundin e katër, dhe erdhi si propozim i mazhorancës në pushtet.

Ai është Presidenti i tetë i Shqipërisë./Shqip.com