Lajme

Borrell: Kosova dhe Serbia t’i kthehen dialogut

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell
Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Josep Borrell tha se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq duhet ta kapërcejnë tendencën e luftimeve dhe të kthehen në dialog.

Para nisjes së takimit të Këshillit për Punë të Jashtme të Bashkimit Evropian, Borrell tha para gazetarëve se kjo nuk është mënyra e duhur për të kërkuar marrëveshje.

“Ata duhet të kthehen në Dialogun [e lehtësuar nga BE]. Ata duhet të kapërcejnë këtë tendencë të luftimeve në rrugë, të krijimit të bllokadave. Kjo nuk është mënyra për të kërkuar një marrëveshje. Kjo nuk është mënyra për të kryer bisedimet. Nuk është mënyra për të kërkuar zgjidhje. Nuk është mënyra për të parë për procesin e normalizimit në të cilin ata janë të angazhuar”, tha Borrell.

Borrell tha se ka menduar që gjerat ishin të qeta pas marrëveshjës për targat, por cilësoi se serbët në veri krijuan sërish tensione pas arrestimit të një ish-polici.

“Menduam se gjërat ishin të qeta pas marrëveshjes por edhe një herë, serbët e Kosovës iu përgjigjën arrestimit të një ish-polici kosovar-serb me mjaft probleme në rrugë, duke bllokuar rrugët dhe madje duke hedhur granata të trullta disa prej policëve tanë [të EULEX-it]. Mund ta kuptosh se kjo nuk është e pranueshme”.

Borrell tha se ishte në kontakt me udhëheqësit nga të dy palët dhe se për të ky ndryshim i rendit publik dhe kjo dhunë është e papërballueshme.

“E di se të dy pjesët janë të gatshme të de-përshkallëzohen, dhe unë po u bëj thirrje të dyve që ta bëjnë këtë.  Por, në këtë rast, unë isha në kontakt me kryeministrin Kurti, Miroslav Lajčák ishte në kontakt me Presidentin Vuçiç në Serbi. Ky ndryshim i rendit publik, kjo dhunë nuk është e përballueshme”.

 Vlen të theksohet se këshilltari i lartë i Departamentit Amerikan të Shtetit, Derek Chollet, dhe i dërguari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar sot pritet që të takohen me krerët e shtetit të Kosovës.

Siç raporton REL, takimet e ndërkombëtarëve me qeveritarët do të zhvillohen në orët e pasditës ndërsa, me krerët e opozitës do të takohen ditën e marte.

Ky takim në mes udhëheqësve të Kosovës dhe përfaqësuesve amerikan erdhi në kohën kur veriu i vendit është i tensionuar.

Me 10 dhjetor, serbët  në veri të Kosovës kanë vendosur barrikada me qëllim të pengimit të dërgimit të ish-policit, Dejan Pantiç drejtë organeve të drejtësisë.

Siç kanë konfirmuar nga Policia, bllokimi i rrugëve ka ndodhur në Leposaviç, Zveçan dhe Zubin Potok duke pamundësuar kështu lëvizjen e lirë dhe mallrat.

Po ashtu në Rudarë të Komunës së Zveçanit ata kanë vendosur dy kamionë me gurë.

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, ka thënë se Pantiqi dyshohet se ka organizuar sulm terrorist në zyrat e Komisionit Komunal të Zgjedhjeve.

Krahas kësaj, me datën 8 dhjetor është plagosur një pjesëtar i Policisë së Kosovës në veri si dhe janë shënjëstruar policia në rrugën që shpie për në Bërnjak- Ata iu kanë kundërpërgjigjur sulmit.

/Shqip.com