Lajme

Bordi shkarkon nga pozita e drejtorit të RTK-së, Ngadhnjim Kastratin

Ngadhnjim Kastrati- ish drejtor i RTK-së

Me nëntë vota pro dhe asnjë kundër, Bordi i Radio Televizionit të Kosovës ka shkarkuar drejtorin e përgjithshëm të mediumit publik, Ngadhnjim Kastrati.

Sipas njoftimit të këtij bordi, shkarkimi i Kastratit ka ardhur si pasojë e shkeljeve të Ligjit për RTK-në, nepotizmit, keqpërdorimeve, mospunës, degradimit dhe raportimit të anshëm e jo objektiv të mediumit publik.

“Vendimi për shkarkim bazohet në shkeljet e shumta të Ligjit për RTK-në dhe akteve tjera nënligjore të bëra në RTK gjatë mandatit të z. Kastrati. Bordi i RTK-së konstatoi neglizhencë të Drejtorit të Përgjithshëm ndaj parregullsive, keqpërdorimeve, mospunës, nepotizmit, degradimit, raportimit të vazhdueshëm të anshëm e jo objektiv të transmetuesit publik të Kosovës. Bazuar në të gjitha këto shkelje, për Bordin e RTK-së ka qenë e pamundur vazhdimi i konsolidimit të reputacionit të RTK-së dhe funksionimit të tij me z.Kastrati si Drejtor i Përgjithshëm”, thuhet në njoftim.

I menjëhershëm ka qenë reagimi nga Kastrati i cili përmes një shkrimi në rrjetet sociale, ka konfirmuar se është shkarkuar nga pozita e drejtorit të Përgjithshëm të RTK-së.

Kastrati, lajmin për shkarkimin e tij thotë se e ka marrë nga shtëpia, pasi është në izolim si shkak i infektimit me COVID-19.

“Njoftimin për shkarkim e morra në shtëpi, ku jam prej disa ditësh në izolim si rezultat i infektimit me Covid. Perveq tjerash une as nuk jam njoftuar per ndonje procedure te shkarkimit dhe as nuk ka pasur ne rend te dites pike per shkarkimin tim”, ka shkruar në Facebook.

Radio Televizioni i Kosovës

Më tej ai ka shtuar se që nga emërimi i ri i bordit, të cilin e quan “bord i qeverisë Kurti”, është përballur me shantazhe dhe presion “për t’i larguar qindra punëtorë nga puna, në këmbim të vazhdimit të punës sime në këtë pozitë deri në fund të mandatit në prill 2022”, shkruan Kastrati.

Mes tjerash, Kastrati shton se ka paguar mbi 4 milionë euro borxhe të RTK-së, për përiudhën sa ishte drejtor i televizionit.

“Që nga muaji prill i vitit 2019 kur jam zgjedhur në këtë pozitë, me krenari mburrem që e kam udhëhequr Mediumin Publik, duke ruajtur profesionalizmin dhe besueshmërinë publike. Për këtë periudhë kam arritur që të paguaj mbi 4 milionë euro borxhe”, vijon më tej reagimi i Kastratit./Shqip.com