Lajme

Bordi pas procesit të prokurimit në KEK: Ka pasur keqmenaxhim

Komisionit për Mbikëqyrjen e Financiave Publike

Kryetarja e Komisionit për Mbikëqyrjen Financiare, Hykmete Bajrami ka thënë se gjetje e auditorit tek Korporata Energjetike e Kosovës, është mjaftë shtetqëesuese, pasi ka dhjetëra kontrata të firmosura me negocim të drejtpërdrejt dhe mungesë të transparencës.

Këto deklarata, Bajrami i bëri gjatë shqyrtimit të raportit të auditimit të performancës “Prokurimi në Korporatën Energjetike të Kosovës (2018-2020)”.

Deputetja, Hykmete Bajrami

Ajo gjatë mbledhjes së komisionit ka bërë të ditur se në atë periudhë janë shpenzuar 181.5 milionë euro, prej tyre rreth 60 milionë euro me kontrata të negociuara, gjë që ka shkaktuar kontrata më të shtrenjta.

Deputetja e LDK-së ka numëruar kontratat, edhe sa i përket blerjen e kushinetave, të cilat sipas saj, kanë qenë të dëmshme për buxhetin e KEK-ut.

Nga ana tjetër, kryeshefi i KEK-ut, Nagip Krasniqi nuk ka mohuar të gjeturat nga auditori, por tha se nuk merr përgjegjësi, pasi që në krye të KEK-ut, ka ardhur në tetor të vitit 2021.

Korporata Energjetike e Kosovës

Krasniqi ndër të tjera ka thënë se neglizhencë ka ndikuar që KEK-u të ‘zhytet’ në këso lloj kontrata të negociuara.

Ndërsa, Skender Haziri, kryesues i bordit të KEK-ut, gjatë komisionit ka deklaruar se nuk ka informata të plota për aktivitetet e prokurimit që kanë ndodhur në periudhën 2018-2020, por premtoi se bordi i ri do të marrë masë për përmirësimin e prokurimit në KEK.

“Ka pasur keqmenaxhim, ka hapësirë për përmirësim, disa prej tyre kanë nis të përmirësohen nga viti 2021. Ju siguroj të gjitha rekomandimet e ZKA kanë me u realizuar”, theksoi Haziri.

Raportimin e prokurorimit në KEK e ka vlerësuar si mjaft të keq dhe shqetësues, deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Rashit Qalaj.

Sipas Qalaj, procesi i prokurimit në KEK është i dyshimtë.

Gjatë raportimit ka pasur edhe përplasje verbale ndërmjet deputet të PDK-së, Hajdar Beqa dhe Halil Thaçi nga Lëvizja Vetëvendosje.

Në këtë rast, deputeti Beqa ka thënë se deputeti Thaçi ka pasur ndikim në konkursin e fundit në KEK, derisa ky i fundit ka mohuar, duke thënë se këto janë shpifje./Shqip.com