Ekonomi Biznes

Bordi i AKP-së miratoi shpërndarjen e fondeve për punëtorët dhe kreditorët e 14 ndërmarrjeve shoqërore

Agjencia Kosovare e Privatizimit

Bordi i Drejtorëve të Agjencisë Kosovare të Privatizimit të enjten mbajti mbledhjen e radhës, në të cilën mori disa vendime për procesin e privatizimit dhe të likuidimit të ndërmarrjeve shoqërore në përputhje me mandatin e vet ligjor.

Gjatë kësaj mbledhje, zëvendës drejtori i AKP-së, Avni Jashari u emërua Zëvendësues i Drejtorit Menaxhues të kësaj agjencie.

“Ndërkaq Bordi vendosi inicimin e procedurës së rekrutimit për pozitën e Drejtorit Menaxhues sipas Ligjit për Zyrtarët Publik”, thuhet në njoftimin për media.

Po ashtu bëhet e ditur se Bordi gjatë këtij takimi diskutoi dhe e miratoi buxhetin e Agjencisë për vitin e ardhshëm 2022, me kursime në paga dhe mëditje sipas vendimit që mori në mbledhjen e shkuar për shkurtim të pagave dhe mëditjeve në masën 30 për qind për të gjithë të punësuarit e AKP-së.

“Bordi shqyrtoi dhe miratoi shpërndarje të pjesshme të fondeve për kreditorët e nëntë ndërmarrjeve shoqërore në vijim: Përparimi – Mitrovicë, KBI Agrokultura – Gjilan, pastaj për NSH Eximkos – Prishtinë, NSH Tregu – Prishtinë, NSH Ringov- Pejë, NSH Dardania – Prizren, NSH Talinovci – Ferizaj, NSH 9 Nëntori – Pejë dhe NSH Prizren Trans – Prizren.”

Shuma totale e fondeve për shpërndarje është 1 milion e 168 mijë euro.

Ndërkaq miratoi listat përfundimtare të punëtorëve që i plotësojnë kushtet ligjore për të përfituar nga pjesa 20 % e të ardhurave nga shitja, transferimi ose likuidimi për ndërmarrjet shoqërore: Radio Televizioni Prishtina – Prishtinë, Banka e Lubjanës – Prishtinë, Lidhja e vozitësve – Prizren, për KB Bistrica – Drenoc-Pejë, pastaj për NSH Kabllar NJP – Prishtinë dhe për NSH Teuta Bare – Mitrovicë.

Për këto ndërmarrje (përveç për KB Bistrica-Drenoc-Pejë, e cila nuk ka punëtorë në listë) u miratuan edhe shpërndarjet e pjesshme nga 20 % i të ardhurave nga shitja, transferimi ose likuidimi i aseteve të tyre bazuar në listat e punëtorëve legjitim./SHQIP.com