Lajme

Bogujevci flet në Këshillin e Evropës për dhunën seksuale gjatë viteve të 90-ta

Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Saranda Bogujevci po merr pjesë në asamblenë parlamentare të Këshillit të Evropës.

Në fjalimin e saj ajo ka folur për dhunën seksuale gjatë viteve të 90-ta në Kosovë.

“Duke ardhur nga një vend ku gratë, por edhe burrat, kanë përjetuar dhunë seksuale në një konflikt jo shumë kohë më parë, kurrë nuk e kam menduar se sot do të flisnim për një shtet tjetër në Evropë që po përjeton të njëjtin fat. Duke parë se çka po ndodhë në Ukrainë, shpresoj që ky raport do të shtyjë, jo vetëm shtetet anëtare të prioretizojnë çështjen, por dhe të vendosin mbështetjen e tyre aty, ku është nevoja, për të adresuar dhunën seksuale që po ndodhë në Ukrainë nga ushtria ruse” – tha Bogujevci.

Më tutje Bugojevci tha se nuk është hera e parë që dhuna seksuale është përdorur si armë lufte, duke rikujtuar përjetimet e Kosovës në vitet e 90-ta.

“Nuk është hera e parë që dhuna seksuale është përdorur si armë lufte. Ne e kemi përjetuar këtë në Ballkan në vitet e 90-ta, duke përfshirë edhe vendin tim. Ne duhet të sigurohemi që ata që planifikojnë të implementojnë këto strategji, të dënohen e që fatkeqësisht shumë shpesh nuk ndodh” – deklaroi Bogujevci.

Bogujevci theksoi se tashmë ekzistojnë instrumente për të mbështetur viktimat dhe sipas saj, është me rëndësi që të mbijetuarit të dëgjohen.

/Shqip.com