Kulturë Kino Drejtori i BBK-së në një intervistë për Shqip.com, shprehet optimist për përmirësimin e kushteve gjatë mandatit të tij

Bodrumi i Teatrit Kombëtar- teatër për balerinët kosovarë

Pamje nga podrumi i Teatrit Kombëtar

Balerinët kosovarë zhvillojnë aktivitetet në bodrumin e Teatrit Kombëtar.

Edhe pse këtë vit feston 50 vjetorin e themelimit, Baleti Kombëtar i Kosovës nuk ofron kushtet esenciale për të funksionuar si duhet.

Deri te realizimi i një shfaqjeje, balerinët kosovarë përballen me një sërë vështirësish e pengesash.

“BKK është përballur me sfida te ndryshme. Mungesa e kushteve të punës është një nga problemet me të cilat ballafaqohemi nga momenti i parë që hyjmë në teatër. E zhvillojmë aktivitetin tonë në bodrumin e Teatrit Kombëtar, dhe kushtet aty lënë shume për të dëshiruar”, tha drejtori i BKK-së, Sinan Kajtazi, për Shqip.com.

Kajtazi, i cili më 28 shkurt të këtij viti u zgjodh drejtori i BBK-së, thotë se përmirësimi i kushteve më të mira për balerinët do të jenë në fokus gjatë mandatit të tij.

“Ngritja profesionale artistiko-teknike, do të jenë në fokus timin, përgjatë kohës si drejtues i BKK-së. Prej vitesh jam pjesë e BKK-së dhe sigurisht se i njoh shumë mirë secilin nga balerinët. Nuk duhet shumë filozofi për udhëheqjen e një grupi balerinësh të pasionuar, të cilët kanë dëshmuar vetën në vendin tonë, rajon dhe në shumë kryeqendra të artit evropian.
Ndryshimet janë shumë të nevojshme në aspektin e infrastrukturës së BKK-së, uroj që ky ndryshim të ndodhë sa më parë”, tha Kajtazi.

Kajtazi, ka vlerësuar punën që është bëri deri tani nga balerinët, pavarësisht vështirësive që kanë pasur.

“Baleti Kombëtar i Kosovës është një institucion që përkundër vështirësive, shpesh herë edhe banale, nuk është ndalur së krijuari vepra të baletit, të cilat kanë pasuruar jetën kulturore në vend”.

Ndër të tjera, ai tha se BBK, ka dhëne një kontribut të jashtëzakonshëm në përfaqësimin e vlerave kulturore nëpër vende të ndryshme evropiane, përmes shfaqjeve që kanë bërë bujë në qendra të ndryshme evropiane./SHQIP.com