Lajme

Bllokohen hyrjet në objektet komunale në Zveçan, Leposaviq e Zubin Potok, policia del me njoftim

Pamje nga Zubin Potoku

Qytetarë serbë të pjesës veriore të Kosovës kanë bllokuar qasjen për në objektet komunale të tri komunave që kryetarët e rinj dje dhanë betimin.

Ndërsa në këtë pjesë të vendit janë dëgjuar edhe sirenat e alarmeve të qytetit, por që nuk dihet arsyeja.

Megjithatë, sipas mediave lokale serbe, menjëherë pas alarmit i cili ka nisur pak pas orës 12:00, qytetarët kanë nisur të mblidhen para objekteve komunale.

Sipas mediumit Kossev, qytetarë janë parë edhe para ndërtesës së komunës së Mitrovicës së Veriut.

“Sipas informacioneve nga terreni, Radosavljeviq raporton se bëhet fjalë për një grup qytetarësh të cilët dyshohet se janë ftuar nga ish-qeveria për të ruajtur objektin e komunës.

Kur e pyetën se nga çfarë po e mbronin, as ai nuk e dinte përgjigjen”, shkruan Kossev.

Lidhur me situatën e krijuar, ka reaguar edhe Policia e Kosovës, përmes një njoftimi për media. Sipas tyre Policia e Kosovës po ndërmerr veprimet e saja në funksion të ruajtjes së rendit e sigurisë publike.

“Policia e Kosovës (PK), sipas autorizimeve ligjore dhe kushtetuese po ndërmerr veprimet e saja policore në ofrimin e sigurisë, ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike si dhe ndërmarrjen e masave policore me qëllim të parandalimit të të gjitha veprimtarive kriminale që paraqiten në vend.

Sipas detyrës zyrtare, sot Policia e Kosovës është duke asistuar kryetarët e komunave veriore Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok, për të ushtruar të drejtën e tyre në punë, në objektet zyrtare të komunave përkatëse”, thuhet në njoftimin e tyre.

/Shqip.com