Lajme

Blerim Syla paralajmëron padi ndaj ministrit Murati: Deklarata është skandaloze

Kryetari i Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë, Blerim Syla

Kryetari i Federatës së Sindikatës të Shëndetësisë të Kosovës, Blerim Syla, ka paralajmëruar padi ndaj ministrit të Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati.

Paralajmërimi për padi vie pas një postimi të ministrit Murati i cili tha se nga fillimi i mandatit të Qeverisë Kurti, FSSHK ka pranuar mbi tre milionë euro në emër të kontributeve që u janë ndalur nga paga personelit shëndetësor, shkruan Shqip,com.

Madje, ministri e ka quajtur “sindikatë e kapur”.

“Zaten, nuk ka mundur të ketë shtet të kapur, pa disa sindikata fort të kapura”, kishte shkruar Murati në Facebook.

Syla tha se këtë nuk do të ia fal Muratit dhe se është në bisedime me tre avokatë për të ngritur padi ndaj ministrit.

“Sot mu kanë paraqitur së paku 3 avokat vullnetarë sepse janë irrituar shumë, mirëpo deklarata është skandaloze, sepse këta po e dinë se nëse të ndërhynë diku kështu, ka me ndërhy edhe diku tjetër”, tha Syla në T7.

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati.

Syla tha se deklaratën e Muratit e sheh edhe si “ndërhyrje flagrante politike në organizimin sindikal”.

“Në facebook mundet të shkruaj gjithkush, por të shkruaj një ministër, nuk po e di a me ja marr zyrtare apo personale. Nëse ja marrim zyrtare është keq. Konsideroj që opinioni e ka parë shumë mirë çka do të thotë ndërhyrja politike, unë konsideroj që kjo është ndërhyrje flagrante politike në organizimin sindikal”, tha Syla./Shqip.com