Lajme

Bislimi: Raporti i KE-së flet për mungesën e shumicës parlamentare

Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi, duke raportuar në Komisionin për Integrim Evropian

Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi, ka raportuar në Komisionin për Integrim Evropian.

Para deputetëve ai tha se e kanë analizuar në detaje Raportin e KE-së për vendin dhe se Qeveria e ka marrë me seriozitet procesin e integrimit evropian, duke shtuar se kanë çuar përpara numër të madh të proceseve që kanë ngecur me vjet.

“Ne kemi analizuar me kujdes raportin që ka 43 faqe dhe kemi analizuar te gjitha të gjeturat. Një problematikë që kemi vërejtura ka të bëjë që metodologjia i përgjigjet vetëm rrethanave në teren. Raporti flet për mungesë të shumicës parlamentare dhe i referohet periudhës para marsit. Qeveria Kurti 2 procesin e integrimit e ka marrë me prioritet të madh. Menjëherë kemi aktivizuar mekanizmat tanë”, deklaroi Bislimi.

Më tutje, ai përmendi funksionalizimin e terminalit “Trepça “, heqjen e homologimit të veturave dhe miratimin e Planit Kombëtar për Zbatimin e MSA-së .

Zëvendëskryeministri i parë, Besnik Bislimi.

“Ne kemi miratuar Planin Kombëtar për Zbatimin e MSA-së. Në 6 mujorin e qeverisjes jemi përpjekur të japim energji të re dhe t’i shtyjmë përpara disa çështje. Për herë të pare, kjo Qeveri e ka kthyer terminalin “Trepça”. Një problem tjetër ka të bëjë me transferin e inspektorëve komunal. Problemi tjetër ka të bëjë me homologimin e veturave, është hequr nga Qeveria Kurti. Pastaj në fushën e sundimit të ligjit ka pasur progres të kufizuar”.

“Ne kemi arritur të shtyjmë një proces që ka ngecur me vite. Tek reforma jemi duke punuar me strategji. Si pjesë e reformës jemi duke punuar në hartimin e Ligjit për subjektet politike. Jemi të vetëdijshëm se ka hapësirë për avancim të kornizës ligjore”, tha ai./Shqip.com