Lajme

Bislimi: Qytetarët e Luginës do të kompensohen për dëmet eventuale nga reciprociteti i targave

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, është deklaruar rreth dëmit eventual që mund t’i bëhet qytetarëve të Luginës nga masa e reciprocitetit të targave të automjeteve, njofton Shqip.com.

Ai thotë se së shpejti do të dilet me një mekanizëm për t’u kompenzuar të gjithë bashkëkombasit që do të preken nga kjo masë.

“Do të ishte hipokrizi të mendohej se rregulla të tilla vlejnë vetëm për shqiptarët, e rregulla të veçanta ka për qytetarët që vijna nga Serbia. Është masë limituese, nuk është sponsorizuese diçka. Është limitueshme dhe e natyrshme se palët e prekura ndjehen të dëmtuara”, ka thënë ai në “Interaktiv” të KTV-së.

“Në këtë situatë duhet të vendosësh balancë mes interesave shtetëror dhe bashkëkombasve. Në këtë rrethanë nuk kemi mundur të marrim vendim tjetër. Gjithsesi këtë vendim ju kemi kumtuar qytetarëve të Luginës. Por me rëndësi është se kemi gjetur edhe mekanizmin përmes të cilit do të zhdëmtohen gjithë qytetarët nga Lugina të cilët si pasojë e kësaj mase detyrohen të shpenzojnë”, ka shtuar më tej Bislimi.

Zëvendëskryeministri thotë se shuma e caktuar për tabelat me vlefshmëri prej dy muajve është rreth pesë mijë euro”.

Siç e sqaron Bislimi, vendimi i sotëm për masë reciprociteti për targat nuk ka të bëjë asgjë me qytetarët serbë.

Ai thotë se vendimi ka të bëjë vetëm me veturat që hyjnë nga shteti fqinj – Serbia.

“Vendimi s’ka të bëjë kundër serbëve, ka të bëjë me zbatimin e marrëveshjes. Masa nuk i prek qytetarët në Kosovë, ka të bëje me veturat që hyjnë nga vendi fqinj. Se cili është plani i atij që po instumentalizon serbët në Kosovë ne nuk e dimë. Tendencat janë për përshkallëzim të mëtejmë”, është shprehur numri dy i qeverisë.

Sot Qeveria e Kosovës vendosi masë reciprociteti, që ka të bëjë me veturat me targa të Serbisë. Tash e tutje atyre duhet t’u vendosen targa të përkohshme kur hyjnë në Kosovë, njësojë siç vepron Serbia me veturat me targa RKS. /Shqip.com