Lajme

Bislimi: Prokuroria t’i nis hetimet për aferën e abuzimit të 335 mijë eurove nga z.v ministrja e MKRS-së Daulina Osmani

Kryetari i Rinisë së Partisë Demokratike të Kosovës, Donjet Bislimi përmes një konference për media ka kërkuar që Prokuroria e Kosovës të nisë hetimet për aferën e abuzimit të 335 mijë eurove nga zëvendësministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Daulina Osmani.

Sipas Bislimit, këto para të taksapaguesve kosovarë, i ka përfituar me projektin e titulluar “Drejt Malit”, Mimoza Osmani, e cila është motra e zëvendësministres Daulina Osmani.

“MKRS e ka iniciuar muaj më parë një memorandum bashkëpunimi ku i ka përfshirë edhe Ministrinë e Arsimit, Ministrinë e Shëndetësisë si dhe Organizatën Jo Qeveritare “Federata e Sportit Shkollor”, tha Bislimi.

Tutje ai shtoi se nëpërmjet këtij memorandumi, Ministria e Kulturës ia ka dhënë 335 mijë euro Organizatës Jo Qeveritare “Federata e Sportit Shkollor” e cila sipas tij kishte obligim ta organizoj projektin “Drejt Malit” që kishte për qëllim dërgimin e nxënësve për skijim në Brezovicë.

Tutje, ai tha se kjo OJQ e kishte marrë përsipër t’i blejë pajisjet dimërore për nxënësit si dhe t’i akomodojë ata në një hotel në Brezovicë.

“Ajo çfarë ndodhi është se kjo Organizatë Jo Qeveritare, me paratë e Ministrisë së Kulturës e kontraktoi Kompaninë “Omnisport” me pronar burrin e motrës së zëvendësministres Daulina Osmani. Pra, motra e zëvendësministres përveç që e ka bashkëshort pronarin e kësaj kompanie, ajo edhe vet punon aty”, shtoi tutje ai.

Bislimi tha se me këto 335 mijë euro u blenë disa pajisje dimërore dhe të tjerat u shpenzuan për akomodim në hotelin “Molika” në Brezovicë, i cili sipas dokumentacionit zyrtar nuk figuron i regjistruar fare në Kosovë, por është i regjistruar në Serbi.

“Për ta vërtetuar të gjithë ju që zëvendësministrja Daulina Osmani ishte bartëse e këtij projekti që paratë ia dha kompanisë ku punon motra e saj, mund të hyni në faqen e saj në Facebook dhe e shihni si e promovonte këtë projekt. Madje ajo e kishte ftuar në Brezovicë gjatë atyre ditëve që po zbatohej projekti, edhe kryeministrin Albin Kurti, i cili shkoi në Brezovicë dhe bashkë me zëvendësministren Daulina Osmani ato ditë me borë hipi në teleferik.”, ka shtuar ai.

Sipas Bislimit, kjo aferë abuzive është shqetësuese jo vetëm për përfitimin e një familjareje të titullares së Vetëvendosjes, por edhe sepse paratë janë shpenzuar për çmime të fryera me procedura të përshpejtuara.

PDK, po ashtu i bën thirrje ministrit Çeku që të japë llogari e të sqarojë këtë aferë abuzive, dhe ky rast të zbardhet./Shqip.com