Lajme

Bislimi për targat: Treguam përkushtim, ishte brengë edhe e miqve ndërkombëtarë

Besnik Bislimi - Zëvendëskryeministër i Republikës së Kosovës

Zëvendëskryeministri, Besnik Bislimi ka folur për vendimin e ri për targat të vendosur nga Qeveria e Kosovës.

Ai ka thënë se se serbët që nuk do të konvertojnë targat ilegale serbe në RKS do të gjobiten.

“Ne kemi treguar vendosmërinë për zbatimin e vendimeve tona dhe përkushtimin e kontributin tonë në ruajtjen e paqes dhe sigurisë në vend, e që ishte edhe brengë e partnerëve e miqve tanë ndërkombëtarë. Jemi të bindur se sundimi i rendit e ligjit dhe paqja e siguria shkojnë e mirëmbahen bashkë”, ka thënë Bislimi.

Sipas tij, vendimi për targa është i ndarë në tri etapa, e cila siç u shpreh ai nis me masën e dhënies së vërejtjes deri më 21 nëntor, pastaj me masën e gjobitjes nga 21 nëntor 2022 deri më 21 janar 2023.

“Në mbledhjen e qeverisë, qartësuam dhe zbatimin e vendimit për targa, që nis me 1 nëntor. I ndarë në tre etapa dhe shkallë, zbatimi fillimisht nis me masën e dhënies së vërejtjes deri më 21 nëntor. Pastaj me masën e gjobitjes nga 21 nëntor 2022 deri më 21 janar 2023. Nga 21 janari 2023 deri më 21 prill 2023, do të vendosen targat provuese për veturat me targa ilegale. Ndërkaq pas datës 21 prill të vitit 2023, nuk do të lejohet qarkullimi i veturave me targa ilegale”, ka shkruar ndër të tjera Bislimi në Facebook.

Qeveria, në mbledhjen e djeshme, aprovoi propozimin e kryeministrit Albin Kurti për shkallëzimin e sanksioneve për të gjithë ata që nuk konvertojnë targat ilegale serbe në ato të Republikës së Kosovës.

/Shqip.com